Kosova

Shkarkohet nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiç


Dragana Miletiç

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka shkarkuar nga pozita e nënkryetares Dragana Miletiçin, e cila dyshohet se ka përdorur substanca narkotike brenda objektit të komunës.

“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhet në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi të cilën e ka siguruar Radio Televizioni i Kosovës.

Ndërsa me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti.

Sipas organit të akuzës, ajo dyshohet për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Por, Miletiç ka thënë se akuzat ndaj saj janë “të rreme” dhe janë “të shpikura” prej qytetarësh të Listës Serbe.

Ndryshe, një ditë më parë, mediumi “Nacionale” ka publikuar një video ku shihet nënkryetarja Miletiç duke konsumuar drogë me disa zyrtarë të tjerë të komunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore