Shëndet

Shfaqja e kancerit mund të dallohet vite përpara simptomave


Në një institut të hapur së fundmi në Universitetin e Cambridge-it, shkencëtarët kanë filluar punën për të identifikuar ndryshimet në qeliza shumë vite përpara se ato të zhvillohen në tumore.

Hulumtimi, sipas tyre, duhet të ndihmojë në krijimin e mënyrave rrënjësisht të reja për të trajtuar kancerin.

Instituti është i fokusuar në gjetjen e mënyrave për të trajtuar tumoret përpara se të shfaqin simptoma.

Hulumtimi do të shfrytëzojë zbulimet e fundit që kanë treguar se shumë njerëz zhvillojnë kushte prekanceroze që qëndrojnë pezull për periudha të gjata.

“Vonesa e zhvillimit të një kanceri mund të vazhdojë me vite, ndonjëherë për një ose dy dekada, përpara se gjendja të shfaqet papritur te pacientët”, ka thënë Rebecca Fitzgerald, drejtoresha e institutit.

“Pastaj mjekët zbulojnë se po luftojnë për të trajtuar një tumor që deri atëherë është përhapur në trupin e një pacienti. Ne kemi nevojë për një qasje të ndryshme, një qasje që mund të zbulojë një person në rrezik të kancerit që herët duke përdorur teste që mund t’u jepen një numri të madh njerëzish”.

Një qasje e ndërmarrë nga instituti fokusohet në mostrat e gjakut.

Të ofruara nga gratë si pjesë e shërbimeve të kaluara të shqyrtimit për kancerin ovarian, këto mostra tani janë ripërdorur nga instituti.

“Ne kemi rreth 200 mijë mostra të tilla dhe ato janë një minierë ari”, ka thënë Jamie Blundell, një udhëheqës i grupit kërkimor në institut.

Duke përdorur këto mostra, studiuesit kanë identifikuar ndryshime që i dallojnë ata donatorë që më pas janë diagnostikuar me kancer gjaku 10 apo edhe 20 vjet pasi kanë dhënë mostrat, me ata që nuk kanë zhvilluar kushte të tilla.

“Ne po zbulojmë se ka ndryshime të qarta gjenetike në gjakun e një personi më shumë se një dekadë përpara se të fillojnë të shfaqin simptoma të leucemisë”, sipas Blundell.

“Kjo tregon se ka një dritare të gjatë mundësie që mund të përdorni për të ndërhyrë dhe për të dhënë trajtime që do të zvogëlojnë shanset për të pasur kancer”.

Kanceret rriten në faza dhe duke dalluar ato me qeliza që kanë bërë një hap të hershëm në këtë shkallë, duhet të jetë e mundur të bllokohen ose pengohen zhvillimet e mëtejshme.

Pika thelbësore është se në këtë fazë të hershme ka kohë që mjekët të ndërmarrin veprime dhe të shmangin që ata të përballen me një kancer në një fazë të vonë kur ai është përhapur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore