Biznes

Shell pakëson ambiciet klimatike pavarësisht dekadës vendimtare të klimës


Kompania energjetike Shell ka zvogëluar një nga ambiciet e veta klimatike teksa përgatitet të mbajë prodhimin e naftës të qëndrueshme dhe rrit biznesin e gazit natyror të lëngshëm.

Shell ka përdorur strategjinë më të fundit të tranzicionit të energjisë për të paralajmëruar se mund të ngadalësojë ritmin e reduktimit të emetimeve këtë dekadë, duke thënë se tani dëshiron të reduktojë intensitetin e emetimeve të karbonit të energjisë që shet me 15-20% deri në vitin 2030, krahasuar me objektivin e mëparshëm prej 20%.

Sakaq, objektivi matet kundrejt vitit 2016.

Objektivi i përditësuar do t’i mundësojë Shell-it të ngadalësojë ritmin e reduktimit të emetimeve në një dekadë që shkencëtarët e klimës kanë paralajmëruar se është thelbësore për të shmangur një katastrofë klimatike.

Kompania ka premtuar gjithashtu të ulë emetimet nga prodhimi i naftës dhe gazit.

Megjithatë, ajo do të vazhdojë të mbajë prodhimin e saj të qëndrueshëm të naftës ndërsa rrit biznesin e gazit natyror të lëngshëm, që do të thotë se emetimet e përgjithshme në baza absolute mund të vazhdojnë të rriten.

Wael Sawan, shefi ekzekutiv i Shell, ka thënë se “një tranzicion i balancuar i energjisë, të cilin Shell e mbështet, është ai që ruan furnizime të sigurta dhe të përballueshme me energji, ndërsa bota ndërton sistemin e energjisë së pastër të së ardhmes”.

“Miliarda njerëz varen nga energjia dhe qindra miliona ende shpresojnë të kenë akses në të. Energjia është jetike për jetët kudo”, ka thënë Sawan.

Ai zemëroi grupet e gjelbra brenda disa muajsh nga marrja e detyrës kryesore duke sugjeruar që kompania do të anulonte një plan për të reduktuar prodhimin e naftës dhe gazit të Shell me 1-2% në vit, në ndjekje të fitimeve më të larta.

Sawan ka thënë se kompania shtoi 200 mijë fuçi ekuivalente nafte në ditë në prodhimin e saj vitin e kaluar dhe deri në vitin 2025 do të fillonte mjaft projekte të reja të karburanteve fosile për të shtuar gjysmë milioni fuçi në ditë.

Ndërkohë, vendimi për të vazhduar investimin në lëndët djegëse fosile shkon kundër këshillave të ekspertëve të klimës, të cilët kanë thënë se nuk mund të ketë zhvillim të ri të karburanteve fosile nëse bota shpreson të shmangë një krizë klimatike.

Projektet e reja të naftës dhe gazit do t’i mundësonin Shell-it të “vazhdojë të ofrojë sigurinë energjetike që i nevojitet botës, duke ofruar jetëgjatësi të rrjedhës së parave në të ardhmen”, sipas Sawan.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore