Aplikacione

Shein-i, ankesa nga markat e veshjeve


Shein, platforma popullore kineze e tregtisë elektronike, po përballet me ankesa nga markat e veshjeve që pretendojnë se ajo ka cenuar pronën e tyre intelektuale.

E përditshmja, Financial Times, tregon se prej themelimit të platformës në vitin 2008, ajo ka pozicionuar veten si një element kryesor global i gjeneratës Z, duke shitur veshje të lira dhe të modës në internet.

Sipas të dhënave nga AppAnnie, në muajin maj të këtij viti, kompania arriti majat e tabelave të shkarkimit të aplikacioneve për blerje në dyqanet e Apple-it dhe Google-it. Ndera sipas të dhënave nga PitchBook, ajo vlerësohej në 15 miliardë dollarë në raundin e saj më të fundit të financimit në muajin gusht të 2020-s,

Mirëpo, një seri markash, të mëdha dhe të vogla, kanë deklaruar se suksesi i Shein-it është ndihmuar nga shkelja e markës tregtare në mënyrë “të qëllimshme dhe të llogaritur”.

Prodhuesit e ikonës së çizmes Dr Martens, AirWair International, po padit kompaninë mbi atë që e përshkroi në regjistrat gjyqësorë si një “qëllim të qartë për të shitur falsifikime”, duke treguar një “Martin boot” të shënuar në faqe, si dhe më shumë se 20 stile të tjera, të shitura në një fraksion të kostos së një këpuce origjinale Dr Martens.

AirWair-i, përmes një ankese të depozituar në Kaliforni, ka akuzuar Shein-in dhe një faqe të ngjashme me të, Romwe, “jo vetëm për krijimin e kopjeve të drejtpërdrejta” të modeleve të saj dalluese, por edhe për përdorimin e “fotografive të këpucëve origjinale të Dr Martens për të joshur klientët në faqen e saj të internetit për të blerë këpucët e rreme të kopjuara”.

Vetë kompania, në një skedar vijues, ka mohuar pretendimet e ngritura. Ndërkohë, një nga seancat është caktuar për në fund të këtij viti.

Disa artistë dhe dizajnerë perëndimorë kanë theksuar në mediat sociale atë që ata pretendojnë se është një model i vjedhjes së pronës intelektuale që përfshin marka më të vogla.

Kikay, një markë vathësh me bazë në Los Angeles, e cila realizon shitje të drejtpërdrejta te konsumatorët, ka deklaruar se në fillim të këtij muaji, ishte paralajmëruar për modelet e saj që shiteshin në Shein nga një prej klientëve të saj.

“Ata janë famëkeq për atë që bëjnë”, është shprehur Quinn Jones, bashkëthemeluesi i Kikay-t, i cili postoi në Instagram një mesazh që tregon produktin në Shein së bashku me një nga dizajnimet e tij origjinale.

Jones ka bërë me dije se ky postim i tij mblodhi më shumë se një mijë komente, disa prej të cilave ishin nga shitës të tjerë të vegjël të modës që përjetonin çështje të ngjashme.

Ngjashëm si shumë shitës me pakicë në internet, Shein-i ka përjetuar një rritje të popullaritetit gjatë pandemisë, duke çuar në spekulime.

Nga ana tjetër, SimilarWeb-i e rendit Shein-in si faqen e modës më e vizituar në botë.

Dhe ky popullaritet i buron nga përdorimi i analizave të të dhënave për të shndërruar shpejt trendet e reja të modës në produkte jashtëzakonisht të lira, ndonjëherë brenda vetëm disa ditësh. Një arritje kjo që ka nxjerr në pah shqetësime mbi standardet e punës.

Financial Times shkeuan se mallrat prodhohen nga një rrjet i madh shitësish me qendër në Kinë, por shiten vetëm në pjesën tjetër të botës, ku ofron transporte në më shumë se 200 vende.

Rasti i AirWair-it ndjek një tjetër rast të 2018-s, kur Shein-i u padit nga Levi Strauss-i për akuzat se kishte kopjuar “Arcuate-in” e kompanisë së xhinseve, modelin e qepjeve që zakonisht shihet në xhepat e pasmë të xhinseve të markës Levi. Kjo çështje përfundoi me një zgjidhje të pazbuluar.

“Ndodh përsëri dhe përsëri”, ka thënë Jones. “Është punë për Shein-in të tregojë kujdesin e duhur, sepse derisa të ndalojnë së drejtuari biznesin e tyre në këtë mënyrë, ata thjesht po dëmtojnë vazhdimisht bizneset e vogla, njerëzit që përpiqen të mbajnë veten e tyre”.

Ai ka vijuar se kompania më në fund i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë, duke premtuar të hiqte produktin, duke kërkuar falje për “shqetësimin” dhe duke u zotuar të mos punonte më me furnizuesin që prodhoi artikullin e kopjuar.

Shein-i ka thënë në një deklaratë se kishte “respekt të thellë” për artistët dhe dizajnerët.

“Ne e marrim seriozisht çdo ankesë mbi shkeljet e së drejtës së pronës intelektuale, kryejmë hetime të thelluara mbi ankesat e tilla dhe ndërmarrim veprime të shpejta ndaj furnitorëve që shkelin politikat tona të pronësisë intelektuale”, ka deklaruar kompania.

Gjithashtu “vazhdojmë të investojmë dhe të përmirësojmë procesin e rishikimit të produkteve tona për të zbuluar dhe parandaluar shkeljet”.

Mirëpo, Web Smith, analist i industrisë dhe autor i 2PM-it, një buletin kryesor i biznesit të shitjeve në internet, ka pohuar se mosmarrëveshje të tilla janë bërë sinonim i modës së shpejtë.

“Duke pasur parasysh rritjen e tyre, është ndoshta faktor në atë që ata ka të ngjarë të hasin në këto çështje”, ka thënë ai.

Smith ka vijuar se “për sa kohë që ata kanë audiencën që kanë, ata do të përcaktojnë se ia vlen koha dhe energjia e tyre për të lëvizur produktet sa më shpejt edhe nëse disa prej atyre produkteve shkelin normat e pronësisë intelektuale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore