Kosova

Shea thotë se dëshiron ta shohë Rutten më “bujar” ndaj Kosovës


Jamie Shea

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, duke folur për “Radion Evropa e Lirë” rreth emërimit të kryeministrit aktual të Holandës, Mark Rutte, sekretar i ri i përgjithshëm i NATO-s, u shpreh i bindur se Rutte do të vazhdojë ta mbajë Kosovën lart në agjendë, derisa shtoi se shpreson që shefi i ri i NATO-s do jetë më “bujar” ndaj Kosovës.

“Kosova i ka disa aktivitete të partneritetit me NATO-n – si ushtrime, trajnime, këshilla për prokurimin – por nuk ka qasje në menynë e plotë të të gjitha aktiviteteve bashkëpunuese në kuadër të Partneritetit për Paqe (PfP), kryesisht për shkak se katër aleatë vazhdojnë të mos e njohin”, kujtoi ai.

Institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi i PfP-së, i cili është krijuar në vitin 1994. Megjithatë, vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake, përfshirë edhe PfP-në, që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.

Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë. Por, avancimi i statusit së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s konsiderohet të jetë koha e duhur edhe për rihapjen e debatit për anëtarësimin e Kosovës në PfP.

“Marrë parasysh interesimin e dukshëm të Kosovës për t’u bërë një ditë anëtare e NATO-s, Rutte duhet të përpiqet t’i bindë aleatët që t’i japin Kosovës mundësi më të mëdha për t’u përafruar dhe ndërvepruar me NATO-n. Mendoj se ky do të ishte një sinjal pozitiv”, theksoi mes tjerash Shea.

Ndryshe, emërimi i Ruttes në krye të NATO-s vjen në një moment kritik për sigurinë kontinentale ndërsa Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, kurse tensionet në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të rriten. Ai do ta pasojë Jens Stoltenbergun, i cili e mbajti pozitën e shefit të NATO-s për 10 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore