Kosova

Shea për AP: Hapja e Urës ka shkaktuar shqetësim për mundësinë e dhunës, askush s’dëshiron një përsëritje të sulmit të Banjës


Foto: Albanian Post

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, tani profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel, në një bisedë për Albanian Post, thotë se i ka parë si pozitive vizitat e Shefit të CIA-s, William Burns, ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge dhe Komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralit amerikan Stuart B.Munsch.

“Marrja e perspektivës së dorës së parë të KFOR-it dhe EULEX-it në terren lidhur me situatën e sigurisë dhe gatishmërinë e tyre për t’u përgjigjur ishte pa dyshim e dobishme edhe për vizitat e nivelit të lartë. Askush nuk dëshiron më shumë dhunë dhe sigurisht jo një përsëritje të incidentit të Banjës të shtatorit të vitit të kaluar”, tha Shea.

Në këndvështrimin e tij, një mësim i së kaluarës në Ballkanin Perëndimor është se stabiliteti kërkon angazhim të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe se parandalimi është gjithmonë më i mirë se “kurimi”, teksa ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare ishte shqetësuar për përshkallëzimin e situatës pas insistimit të vazhdueshëm të ekzekutivit kosovar për ta hapur urën në Mitrovicë.

“Sigurisht hapja e mundshme e urës në Mitrovicë ka shkaktuar shqetësim për telashe të mundshme apo edhe shpërthim të dhunës në Veri. Megjithëse ambasadorët perëndimorë në Prishtinë kanë dhënë mesazhet e tyre, sipas mendimit tim ishte e dobishme që këto mesazhet të jepen nga zyrtarë të tjerë të lartë që erdhën në Prishtinë dhe kjo pati ndikim”, shtoi Shea.

Sipas tij, për mos t’u përsëritur sulmet terroriste dhe për ta siguruar më mirë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ai insiston që NATO duhet të rris përgjithmonë numrin e ushtarëve në Veri – për ta parandaluar futjen e paraushtarakëve serbë dhe kontrabandës së armëve.

“Pra, përforcimet e KFOR-it të dërguara në Kosovë që nga pranvera duhet të mbeten për momentin. NATO dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojnë presionin ndaj Beogradit për të qenë transparent në lidhje me praninë e grupeve paraushtarake dhe për të treguar bindshëm se i ka çmontuar ato”, potencoi Shea.

Me synimin për të qartësuar situatën, pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë pa koordinim me KFOR-in, gjatë muajit të kaluar u shndërrua në destinacion për vizitë të figurave të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Ndryshe, ura mbi Ibër ishte temë edhe në takimet që kryeministri Albin Kurti pati me Shefin e Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës, William Burns, ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admirali amerikan Stuart B.Munsch.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore