Është diskutuar për muaj të tërë, por tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur.
Janë gati të shkrijnë rreth 60 miliardë dollarë asete ruse dhe t’ia dorëzojnë Ukrainës.
Presidenti amerikan Joe Biden dëshiron të shkundë ndjenjën e pasigurisë, nëse jo pesimizmin, për të ardhmen e luftës.
Javën e kaluar, Senati miratoi një ligj që autorizon përvetësimin e burimeve financiare të ngrira, ndër vite, nga kompanitë ruse dhe oligarkët në bankat dhe fondet e investimeve amerikane.
Presidenti pajtohet: ato para duhet të ndahen për rindërtimin e qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Ukrainës do t’i nevojiten të paktën 400 miliardë dollarë për t’u rimëkëmbur.
Lëvizja amerikane përfaqëson një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe, në teori, i jep një goditje besueshmërisë së sistemit financiar amerikan.
Burimet u bllokuan menjëherë pas agresionit të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.
Por askush nuk e mendoi se do të ishte e mundur t’i përdorte për të financuar ukrainasit.
Deri vitin e kaluar, Sekretarja e Thesarit e SHBA-ve, Janet Yellen, e kishte përjashtuar këtë zgjedhje, thjesht sepse ishte ilegale.
Megjithatë, tani klima ka ndryshuar. Biden përpiqet të vazhdojë me premtimin për të mbështetur rezistencën ukrainase.
Republikanët, të kushtëzuar nga ish-presidenti Donald Trump, vazhdojnë të mbajnë peng paketën e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh, e cila ka ngecur në Kongres.
Kështu, Shtëpia e Bardhë vendosi t’i dërgojë një sinjal Putinit dhe gjithë komunitetit botëror.
Iniciativa amerikane shihet në mënyrë të favorshme nga Kanadaja, e cila tashmë ka përgatitur legjislacion të ngjashëm, dhe nga Britania e Madhe.
Megjithatë, Bashkimi Evropian mbetet kundër.
Kjo nuk është një çështje e vogël, duke qenë se pjesa më e madhe e pasurisë ruse të transferuar jashtë, rreth 240-250 miliardë euro, gjendet në institucionet evropiane të kreditit dhe trustet në vende si Belgjika, Holanda, Malta, Qipro.
Është një temë që do të jetë gjithashtu në qendër të disa samiteve të G7-s, të kryesuar këtë vit nga Italia.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com