Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Kina kanë rënë dakord që inteligjenca artificiale përbën një rrezik potencialisht katastrofik për njerëzimin.
Ishin 28 qeveri që nënshkruan të ashtuquajturën deklaratën Bletchley në ditën e parë të samitit të sigurisë së AI-së, të organizuar nga qeveria britanike.
Deklarata nuk bie dakord për të krijuar një qendër testimi ndërkombëtare në Mbretëri të Bashkuar, siç kishin shpresuar disa në qeverinë britanike.
Por ofron një model për bashkëpunimin ndërkombëtar në të ardhmen, me samitet e ardhshme të sigurisë të planifikuara në Korenë e Jugut për gjashtë muaj dhe në Francë në një vit.
“Ekziston potenciali për dëme serioze, madje edhe katastrofike, qoftë të qëllimshme apo të paqëllimshme, që rrjedhin nga aftësitë më domethënëse të këtyre modeleve të AI-së”, thuhet në deklaratë.
Rishi Sunak, kryeministri britanik, e përshëndeti deklaratën, duke e quajtur atë “një arritje historike që i sheh fuqitë më të mëdha në botë të AI-së të bien dakord mbi urgjencën pas të kuptuarit të rreziqeve”.
Sakaq, komunikata shënon një sukses diplomatik për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Sunak në veçanti, i cili vendosi të organizojë samitin këtë verë pasi u shqetësua me mënyrën në të cilën modelet e AI-së po përparonin me shpejtësi pa mbikëqyrje.
Edhe Kina e nënshkroi deklaratën, e cila përfshinte fjalinë: “Ne mirëpresim përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar deri më tani për të bashkëpunuar në AI për të promovuar rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore dhe për të nxitur besimin e publikut në sistemet e AI-së për të realizuar plotësisht potencialin e tyre”.
Megjithatë, deri më tani, ka pak marrëveshje ndërkombëtare mbi atë se si mund të duket një grup global rregullash të AI-së ose kush duhet t’i hartojë ato.
Disa zyrtarë britanikë kishin shpresuar se vendet e tjera do të pranonin të forconin grupin qeveritar të inteligjencës artificiale në mënyrë që të mund të përdoret për të testuar modele të reja nga e gjithë bota përpara se ato të publikohen.
Ndërkohë BE-ja është në procesin e miratimit të një projektligji për AI-në, i cili synon të zhvillojë një sërë parimesh për rregullimin, si dhe të sjellë rregulla për teknologji specifike si njohja e drejtpërdrejtë e fytyrës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com