SHBA-ja sheh kërcënim për ushtarët amerikanë në Kosovë: Çka paralajmëroi inteligjenca për Ballkanin Perëndimor?
Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin edhe gjatë vitit 2023.
Duke qenë të vetëdijshëm për potencialin e përshkallëzimit të dhunës, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), përfshirë ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, alarmuan së fundi për rrezikun sa i përket hapjes së urës mbi lumin Ibër, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve amerikanë në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR).
“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, theksoi ambasadori Hovenier më 13 gusht 2024, krahas thirrjes drejtuar Qeverisë së Kosovës mos të ndërmarrë verpime drejt hapjes së urës në këtë moment për shkak të potencialit për përshkallëzim të situatës.
Në raportin e intelegjencës amerikane i publikuar në mars gjendet një referencë e shkurtër mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të KFOR-ut në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, duke alarmuar se përgjatë vitit mund të pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin 2023.
Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë, përfshirë tre nga anëtarët e grupit paramilitar serb, gjenë gjithashtu referencë në raportin e intelegjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.
“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, u tha atëherë në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.
“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmoi raporti i intelegjencës.
Paraprakisht, ambasada e SHBA-së në Prishtinë deklaroi më 5 gusht 2024 se është “thellësisht e zhgënjyer” nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
“Veprimet e pakoordinuara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, potencoi ambasada amerikane pas mbylljes së nëntë degëve postare serbe që vepronin ilegalisht në veriun e trazuar të Kosovës.
Në vazhdimësi thuhet se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokal serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, rreziku i përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet, pavarësisht pranisë së NATO-s.
SHBA-ja paralajmëroi të enjten se do bëjë “gjithçka që nevojitet” për të mbrojtur personelin dhe ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore rreth paralajmërimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Kështu të paktën nënvizoi në një konferencë për shtyp zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Vedant Patel, kur u pyet nga një gazetare serbe rreth zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar: “Ne sigurisht se nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë të jenë të mbrojtur”.
Ndryshe, këshilltari për shtyp i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi për Albanian Post se SHBA-të kanë ndarë me presidencën kosovare vlerësimet e sigurisë, posaçërisht sa i përket rrezikimit të jetës së ushtarëve amerikanë nga hapja e urës kryesore në qytetin e Mitrovicës.
Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë se ura që aktualisht ndan qytetin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me SHBA-të janë të bindur se – tash për tash – nuk është koha për hapjen e urës për shkak të kërcënimeve të sigurisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë