Kosova

SHBA-ja me donacioni gjysmë milionësh për Klinikën e Radiologjisë


Foto nga Ambasada Amerikane

Zyra për Mbrojtje dhe Bashkëpunim në Ambasadën Amerikane, i ka dhënë donacion Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në vlerë afër 500 mijë euro.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në fjalën e tij ka thënë se ky investim është tejet i rëndësishëm për pacientët.

“Dua ta shpreh kënaqësinë për Ambasadën e SHBA-së që për vite më radhë ka qenë mbështetëse në rrugën tonë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi edhe ditën e sotme duhet ta shënojmë si të veçantë për shëndetësinë”, deklaroi Vitia.

Ai tutje tregoi se investimi do të ketë efekt në diagnostikimin emergjent në raste të nevojshme.

“Investimi kap shifrën e 499 mijë euro dhe ky donacion do të ndihmojë në diagnostikimin e pacientëve tanë. I rëndësishëm është edhe trajnimi i personelit tonë. Stafi ynë është i përgatitur për ta përdorur këtë pajisje”, u shpreh Vitia.

Ndërsa ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se është ndarë i kënaqur me mundësinë që iu ka dhënë për të ndarë një skaner të ri në këtë klinikë.

“Me kënaqësi dhurova në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një skaner të ri për tomografi kompjuterike (CT) Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës me mbështetje të Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM). Ky skaner i ri do të përmirësojë kujdesin e ofruar për të gjithë qytetarët e Kosovës, një komb i shëndetshëm është një komb i fortë!”, deklaroi Hovenier.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në bashkëpunim me një kompani të shëndetit më 3 maj kishte dhënë edhe një donacion tjetër për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas inaugurimit të pajisjes SPECT/PET/CT, më 27 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore