Pajisje

SHBA heq licencat për shitjen e çipave të Huawei


Qeveria amerikane ka hequr disa licenca që lejuan prodhuesit amerikanë të çipave të eksportojnë mallra të caktuara te gjigandi kinez i teknologjisë Huawei.

Departamenti i Tregtisë nuk specifikoi se cilat leje u anuluan, por masa pason lëshimin nga Huawei të një kompjuteri me AI të mundësuar nga një çip i krijuar nga Intel.

Që nga viti 2019, SHBA ka kufizuar eksportet e teknologjisë, të tilla si çipat kompjuterikë, në Huawei, duke përmendur lidhjet e supozuara me ushtrinë kineze.

“Ne kemi hequr disa licenca për eksporte në Huawei”, tha Departamenti i Tregtisë në një deklaratë, por nuk dha detaje se cilat leje ishin tërhequr.

Disa ligjvënës amerikanë kishin kritikuar administratën e presidentit Joe Biden pas lançimit muajin e kaluar të laptopit MateBook X Pro të Huawei.

Huawei është goditur rëndë nga kufizimet tregtare të SHBA-ve, por kohët e fundit duket se po rikthehet.

Kompania kineze ka shijuar një ringjallje veçanërisht pas hedhjes në treg të Mate 60 Pro në gusht.

Në vitin 2019, gjatë presidencës së Donald Trump, zyrtarët amerikanë shtuan Huawei në të ashtuquajturën “listë entitetesh”.

Çka do të thotë që kompanitë amerikane duhet të marrin një licencë nga qeveria për të eksportuar ose transferuar disa teknologji, veçanërisht për shqetësimet se ato do të përdoren nga ushtria kineze.

Megjithatë, asokohe u janë dhënë licenca disa kompanive amerikane, përfshirë Intel dhe Qualcomm, për të furnizuar Huawei me teknologji që nuk ishte e lidhur me 5G.

SHBA-të kanë vendosur kufizime në disa firma teknologjike kineze në vitet e fundit, pasi tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u intensifikuan.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Biden nënshkroi një ligj që mund të ndalojë aplikacionin video TikTok në vend nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë kineze. TikTok ngriti një padi të martën për të bllokuar legjislacionin.

Ndërkohë Pekini ka dënuar lëvizjet e Washingtonit kundër kompanive të tij, duke i përshkruar ato si “bullizëm ekonomik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore