Kosova

Shala akuzon MINT-in se ka paguar ekspertë një mijë euro në ditë


Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, se ka paguar ekspertë 1 mijë euro ditën për hartimin e Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve.

Shala kërkoi nga ministrja e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari, emrat e eksperteve si dhe kërkoi konkretisht se çka kanë punuar ekspertët.

“Më 10 qershor 2022 keni kërkuar ekspert, ku është paraparë për 20 ditë pune të paguhet 20 mijë euro. Një tjetër për 50 ditë pune, 57 mijë euro. Kush janë këta ekspertë” – tha Shala.

Hajdari u përgjigj duke thënë se strategjia është hartuar në bashkëpunim me “Global Policy Incubator” me bazë në Berlin.

“Për të hartuar një politikë industriale dhe për të shpalosur potencialin, ne kemi investuar 100 mijë euro. Në të kaluarën për strategji të tilla janë paguar nga 1 milionë euro. E mira e këtij investimi, departamenti përkatës është i trajnuar”.

Por, refuzoi që të flas konkretisht për pagesën ndaj ekspertëve, duke thënë se nuk i ka emrat.

“Momentalisht emrat e ekspertëve nuk i kam, por do t`i marr dhe do të ju dërgojë”.

Më 30 qershor, Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve 2030, e hartuar për herë të parë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte marrë miratimin në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore