Kosova

Serbia falënderon Kinën për “mosnjohjen” e Kosovës


Ivica Daçiç dhe Wang Xiaohong

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, në kuadër të një vizite zyrtare në Pekin, ka takuar ministrin e Sigurisë Publike të Kinës, Wang Xiaohong, të cilin e ka falënderuar për “mosnjohjen” e Kosovës, ka raportuar të dielën gjatë ditës agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” duke cituar një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Serbisë.

“Zëvendëskryeministri e falënderoi Republikën Popullore të Kinës për mbështetjen e saj në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë, veçanërisht në qëndrimin e saj konsistent dhe të qartë për çështjen e mosnjohjes së të ashtuquajturës ‘Kosovë’, duke theksuar se Serbia mbështet politikën ‘një Kinë’”, ka njoftuar ekzekutivi serb në Beograd.

Aleanca midis Serbisë dhe Kinës është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Kina dhe Rusia janë dy fuqitë e vetme botërore që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB).

Kina dhe Rusia nuk kanë pranuar ta njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, kryesisht për shkak të narrativës së gënjeshtërt historike rreth të drejtës ndërkombëtare, ndërsa Serbia gjithashtu është rreshtuar përkrah Kinës dhe Rusisë, pavarësisht thirrjeve perëndimore, duke mbështetur politikat perandorake veçanërisht sa i përket Tajvanit dhe Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore