Kosova

Serbia e arreston një person, pretendon se kreu “krime lufte” në Koshare


Ivica Daçiç

Policia e Serbisë ka arrestuar të mërkurën një person, i cili, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme serbe, Ivica Daçiç, dyshohet për krime të pretenduara lufte në vitin 1999.

Në njoftimin për media të MUP-it serb për këtë rast, nuk është bërë me dije shtetësia e të arrestuarit.

Ai vetëm është identifikuar me inicialet F.K., 56-vjeçar.

Sipas pretendimeve të Daçiç-it, i arrestuari dyshohet se ka kryer “krime lufte kundër pjesëtarëve të ushtrisë Jugosllave në Koshare në maj të vitit 1999”.

“Policët e Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar, dhe pas kallëzimit penal për veprën penale për krime lufte ndaj të burgosurve, kanë ndaluar për intervistim dhe procedim të mëtutjeshme të Prokurorisë për krime lufte të dyshuarin F. K. (1968)”, thuhet në njoftim.

Nuk është bërë me dije se kur dhe ku është arrestuari ai.

Ndryshe, Beteja e Koshares u zhvillua në vitin 1999, në rrethinë të komunës së Gjakovës, në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë serbe.

Në lidhje me arrestimet, Serbia së fundmi i ka ndaluar katër shqiptarë, të cilët i akuzon për krime të pretenduara lufte.

Kur u arrestuan shqiptarët?

Nezir Mehmetaj, ishte arrestuar në vitin 2020 në Merdare, që ishte njëra prej pikave kuftiare mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse në rastin e tij ishin zhvilluar dhjetëra seanca s’është marrë vendim për të.

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, po ashtu u ndalua në Merdare në janarin e 2024-së.

Edhe Sadik Duraku, u ndalua më 17 prill në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë, atij i ishte vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

I fundit që u arrestua ishte Tefik Mustafa, më 1 qershor në Merdare.

Në të kaluarën, autoritetet serbe kishin ndaluar nën të njëjtat dyshime edhe Petrit Dulën, Ramadan Malokun, Hilmi Kelmendin e Mark Kashnjetin, shqiptarë të Kosovës, por ata tashmë janë liruar.

Ata ishin arrestuar nga autoritetet serbe në periudha të ndryshme, veçanërisht gjatë periudhës së viteve të 90’ta, kur tensionet etnike dhe politike ishin të larta në rajon.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore