Gjykata Speciale

Selimit dhe Krasniqit u vazhdohet paraburgimi


Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Edhe për dy muaj ua kanë vazhduar paraburgimin Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këto vendime janë marrë në dy vendime të ndara më 15 janar të 2024-ës, ku kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-j duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Selimi; dhe b) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Selimi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00) me çdo përgjigje dhe përgjigje pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në vendimin e trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin.

Kurse, në rastin e Jakup Krasniqit është vendosur afati kohor deri më 23 shkurt të 2024-ës.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Krasniqi; b) UDHËZON Mbrojtjen Krasniqi që të paraqesë një version publik të redaktuar të Përgjigjes deri të hënën, më 22 janar 2024; c) UDHËZON Regjistrin që të riklasifikojë përgjigjen (F02048) si publike; dhe d) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Krasniqi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00)”.

Sa i përket Krasniqit, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi i tij mbetet proporcional.

Ndërsa, nga mbrojtja u konsiderua se vazhdimi i paraburgimit është “joproporcional”.

Si për Selimin, ashtu edhe për Krasniqin trupi gjykues e ka parë “të nevojshëm dhe të arsyeshëm”, vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.

Edhe më 15 nëntor, trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte vendosur që t’i vazhdohet paraburgimi Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktualisht në Speciale është duke dëshmuar dëshmitari i 39-të.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore