Selimi: Vizioni i Kurtit për Republikën e Tretë nënkupton çmontimin e varësisë së Kosovës nga SHBA-të
Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se vizioni i Albin Kurtit për Republikën e Tretë (tezë e paraqitur nga Kurti para disa vitesh, për zhvillimin e vendit), nënkupton largimin e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Këto komente, Kurti i ka bërë përmes një postimi në platformën X, duke komentuar reagimin e ashpër të ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, ndaj aksionit të Policisë së Kosovës në Veri të vendit, ku mbylli pesë (5) objekte të komunave paralele serbe.
“Vizioni i Kurtit për Republikën e Tretë (sipas imazhit të tij) në terma afatgjatë nënkupton çmontimin e Ahtisaarit, të cilin ai e urrente gjithmonë dhe haptazi dhe çmontimin e varësisë së Kosovës nga SHBA-ja, për të cilën edhe ai ndjehej i fortë”, shkroi ish-kryediplomati.
Mjerisht, sipas tij, “është një pozicion tepër i rrezikshëm, i bazuar në mendjemadhësi…”.
Çka ndodhi?
Aksioni i Policisë së Kosovës të premten në Veri të vendit, ku u mbyllen pesë (5) objekte të komunave paralele serbe, bëri që Kosova përsëri të jetë në qendër të kritikave të ashpra nga partneri i saj strategjik më i fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Përmes zërit të tyre në Kosovë, ambasadës, SHBA-të kundërshtuan fuqishëm aksionin në Veri, madje theksuan se policia, të cilën thanë se e kanë ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, e përmes James O’Brien-it i kërkuan kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhet në reagim.
Përveç kësaj, ambasada e SHBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.
Përveç ShBA-ve, reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga vendet e tjera partnere të Kosovës, përmes misioneve diplomatike të tyre në Prishtinë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”, shkroi Hargreaves në Facebook.
“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.
Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.
Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.
Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.
“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.
“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.
Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.
“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë