Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ndërsa ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, ku u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në Veriun e Kosovës, ka potencuar se Qeveria e Kosovës po ndërmerr veprime të tilla për përfitime elektorale.
Aksioni në fjalë u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, duke u cilësuar si një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.
Në leximin e Selimit, partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, ka nevojë për kriza andaj çdo javë listës së mosmarrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po i shtohet edhe një çështje.
“Çdo javë, listës së mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe SHBA-ve po i shtohet edhe një çështje. Arsyeja e vetme është nevoja e regjimit në pushtet për të krijuar krizë dhe për të marrë disa përfitime të pakta elektorale. Kurti harroi punët, ekonominë, investimet. Fokusi i tij i vetëm është Serbia. E pashëndetshme”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si diçka “shumë normale” aksionin e autoriteteve të Kosovës i ndërmarrë me 5 gusht, ku u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në Veriun e Kosovës.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, ka thënë Sveçla në një prononcim të shkurtër për media.
Në pyetjen se a duhet të hapet për qarkullim të veturave ura mbi lumin Ibër, Sveçla ka potencuar se “ura do të hapet”.
“Nuk ka asnjë arsye që të mos hapet. Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, tha ai.
Policia e Kosovës, të hënën, njoftoi për zhvillimin e një aksioni pas informatave të pranuara nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Kështu autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
BE-ja e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.
Blloku argumentoi se një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet “e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë