Kosova

Selimi favorizon Hamzën para Kurtit për t’u bërë kryeministër i ardhshëm: Gjasat i ka më të mëdha


Petrit Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza ka më shumë gjasa ta marrë mandatin e shefit të ekzekutivit pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, sesa kryeqeveritari aktual Albin Kurti.

“Besoj se gjasat i ka Bedri Hamza më shumë se Albin Kurti. Kurtit i duhet koalicion për t’u bërë kryeministër, çka nuk ka thanë për gjithë të tjerët. Ka postuar video për LDK, PDK edhe për AAK, krejt janë armiq të Kosovës, regjimi i vjetër, krejt janë hajna, krejt janë tradhtarë. Tash nëse krejt qenkan të këqij dhe ‘Pejgamberi’ është më i miri dhe më i pagabueshmi le ta bëjë qeverinë, por nuk besoj se do ta bëjë”, tha ai gjatë një interviste në Klan Kosova të hënën.

Ish-kryediplomati kosovar ka pasur kritika për Qeverinë aktuale e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, teksa ka theksuar se Kosova gjatë viteve të fundit ka përjetuar “regres” në fushën e diplomacisë, ekonomisë, dialogut dhe shumë fusha të tjera.

“Bedri Hamza ka qenë dy herë ministër i Financave dhe i ka rritur rrogat më së shumti në histori të Kosovës. Kështu investimet dhe ekonomia do ta ketë një plan më konkret, por kushdo që të jetë mendoj se ka ardhur koha për një fillim të ri”, shtoi.

Gjatë kësaj interviste, Selimi ka potencuar se themelimi i Gjykatës Speciale është rrëfim i sakrificës së bërë sidomos nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

”Përkundër faktit që Thaçi e ka ditur se është i përmendur emri  65 herë në raportin e Dick Martyt, raporti ka qenë i qartë, secili prej tyre e kanë dituar se janë potencialisht cak i Gjykatës Speciale, njerëzit thonë Hashimi ka mendua se s’ka me qenë prandaj i ka votuar, ky është një absurd i ndyrë”, theksoi Selimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore