Është pamje tronditëse, vulgare ta hasësh në një faqe mali aq të paqtë.
Ecet mjaft lart në Alpet Franceze gjatë pranverës së vonë dhe fillimit të verës, dhe ka një shans të mirë që të hasen disa copëza dëbore mjaft të çuditshme midis gurëve gëlqerorë gri dhe grumbujve të ngadaltë të vegjetacionit.
Kjo borë nuk është e bardhë. Ajo është e kuqe gjaku.
Kështu e përshkruan agjencia e lajmeve, “BBC”, këtë fenomen të veçantë.
Fenomeni, nganjëherë i njohur si bora e gjakut, është rezultat i një mekanizmi mbrojtës të ardhur nga algat mikroskopike që rriten në dëborën Alpine. Këto mikroalga kanë një ngjyrë të gjelbër pasi përmbajnë klorofil, familja e pigmenteve të prodhuara nga shumica e bimëve për t’i ndihmuar ato të thithin energji nga rrezet e diellit.
Sidoqoftë, kur algat e dëborës rriten në mënyrë të përhapur dhe ekspozohen ndaj rrezatimit të fortë diellor, ato prodhojnë molekula pigmenti me ngjyrë të kuqe të njohura si karotenoide, të cilat veprojnë si një mbrojtës dielli për të mbrojtur klorofilin e tyre.
Kurse algat e dëborës së kuqe janë të njohura për një kohë të gjatë (përmenden në një libër të botuar në vitin 1819 si të zbuluara gjatë një ekspedite në Arktik në 1818-n), por ende janë të zhytura në mistere që shkencëtarët po përpiqen t’i zbulojnë.
Artikulli tregon se vetëm dy vjet më parë, botanistët në Universitetin Charles, Pragë, në Republikën Çeke, identifikuan një gjini krejtësisht të re të mikroalgave që është përgjegjëse për shkaktimin e borës së kuqe dhe asaj portokalli në pjesë të ndryshme të botës, të cilën ata e quajtën “Sanguina”.
Kjo lidhur me ngjyrën e kuqe gjak që prodhojnë.
Forma të algave Sanguina që shkaktojnë mostra të dëborës së kuqe, studiuesit i gjetën nga Evropa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut së bashku me të dy rajonet polare. Dhe se një specie e Sanguina-s që shkakton një borë të pazakontë portokalli u gjet gjithashtu në Svalbard.
Megjithatë, këto nuk janë lloji i vetëm i mikroalgave që janë përgjegjëse për borën e kuqe. Disa lloje të tjera, të tilla si Chlamydomonas nivalis dhe një algë e gjetur në rritje pranë kolonive të pinguinëve në Antarktidë, e quajtur Chloromonas polyptera, gjithashtu prodhon pigmente për të krijuar dëborë me njolla të kuqe dhe rozë.
“BBC” thekson se të kuptuarit më shumë për algat e dëborës së kuqe mbart një domethënie shumë më të madhe sesa thjesht të shpjegohet ekzistenca e njollave me ngjyra të çuditshme në Alpe dhe pranë poleve. Shfaqja dhe zhdukja janë shënues të rëndësishëm të ndryshimit të klimës dhe se si po ndikon në ekosistemet delikate ku gjenden algat.
Sipas Liane G Benning, profesoreshë e gjeokimisë në Qendrën Gjermane të Kërkimit për Gjeoshkencat në Potsdam, bora e kuqe po bëhet më e zakonshme për shkak të ngrohjes globale.
“Rritja e niveleve të dioksidit të karbonit në atmosferë rrit temperaturën, e cila çon në më shumë shkrirje të borës”, ka treguar ajo.
Profesoresha ka vijuar se “në momentin që ka ujë të lëngshëm në dëborë, algat fillojnë të rriten”.
Dhe se ky bollëk në rritje i algave të dëborës së kuqe mund të kontribuojë edhe në ndryshimin e klimës.
Ajo ka shpjeguar se pigmenti i kuq e bën sipërfaqen e borës të errët, duke zvogëluar sasinë e dritës dhe nxehtësisë që ajo reflekton përsëri në hapësirë, diçka e njohur si efekti albedo. Duke kapur më shumë nxehtësinë e diellit, bora shkrihet edhe më shpejt, duke lejuar që algat të përhapen më tej.
“Ekziston një efekt i arratisur në të cilin algat shkrijnë habitatin e tyre të preferuar”, ka thënë Benning. “Është sikur ato po shkatërrojnë shtëpinë e tyre”.
Madje, në një shkallë më të gjerë, nxehtësia shtesë e absorbuar nga bora e lyer mund të ndryshojë temperaturën në një mjedis më të gjerë, duke përshpejtuar shkrirjen e pjesëve të dëborës dhe akullnajave.
Sipas “BBC”, një studim ka vlerësuar se gjatë një sezoni të vetëm të shkrirjes, lulëzimet e algave të pigmentuara me të kuqe mund të zvogëlojnë albedon e borës me 13 për qind, duke sugjeruar se ajo luan një rol të rëndësishëm në mënyrën sesi efektet e ndryshimit të klimës mund të amplifikohen brenda mjediseve malore.
Këto studime kanë treguar se lulëzimi i algave të kuqe ndodh në akullnajat e të gjithë botës, nga Antarktida në Himalaje dhe në Arktik.
Një pyetje që shkencëtarët si Benning dhe Eric Maréchal, drejtor i Laboratorit të Fiziologjisë së Qelizave dhe Bimëve në Grenoble, Francë, janë të prirur t’i përgjigjen është nëse lulëzimet e algave të borës së kuqe po bëhen më të përhapura dhe po ndodhin më shpesh.
Në artikull shkruhet se një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte përdorimi i imazheve satelitore për të studiuar efektin zvogëlues të albedos së borës së kuqe. Për shembull, një studim duke përdorur imazhe satelitore të fushave të dëborës në Gadishullin Fildes në ishullin King George, në brigjet e Antarktidës, zbuloi në janar të vitit 2017 se 26 për qind e borës ishte errësuar nga algat.
Paçka këtyre, qarkullojnë pak të dhëna të përhapura për të treguar nëse algat e kuqe po bëhen më të zakonshme në nivel global. Si Benning ashtu edhe Maréchal, besojnë se ato do të shfaqen më shpesh kur planeti ynë të ngrohet. Dhe kjo do të duhet të merret parasysh teksa shkencëtarët përpiqen të vlerësojnë ndikimet që do të ketë.
Por edhe duke lënë mënjanë rolin e tyre në ndryshimet klimatike.
Kohët e fundit, Maréchal dhe kolegët e tij kanë zbuluar se algat e kuqe të borës duket se rriten vetëm në lartësitë mbi dy mijë metra në Alpet Franceze dhe lulëzojnë veçanërisht në afro 2 mijë e 400 metra.
Sipas Maréchal, algat Sanguina gjenden në lartësi të mëdha për shkak të sasisë, cilësisë dhe jetëgjatësisë së copëzave të dëborës të pranishme në këto lartësi.
Deri më tani, shkencëtarët nuk kanë arritur t’i rritin këto alga në borë të vërtetë në një laborator.
“Për këtë arsye, studiuesit duhet të mbledhin sa më shumë mostra të jetë e mundur për një studim më të rafinuar”, ka sugjeruar Maréchal.
Në qershor të këtij viti, gjatë një ekspedite të fundit dy-ditore në kalimin Lautaret në Hautes-Alpes, Francën juglindore, Maréchal dhe kolegët e tij në konsorciumin ALPALGA të pesë instituteve franceze kushtuar studimit të algave malore, mblodhën mostrat e tyre të para të vitit 2021.
Ata, ndryshe nga vitet e mëparshme, vunë re se bora nuk kishte ngjyrën e saj tipike të kuqe. Në vend të kësaj, ajo u dominua nga e verdha okër.
Ata besojnë se ngjyra e verdhë ishte për shkak të pranisë së rërës në dëborë që ndërhynte në ngjyrën e dhënë nga algat. Edhe pse nuk ishte një fenomen i pazakontë, ky vit ishte i jashtëzakonshëm pasi erërat e forta bartën shumë rërë Sahariane në lartësitë Alpine.
“Kjo na ka dhënë një mundësi të madhe për të vlerësuar marrëdhënien midis rërës dhe rritjes së algave të borës”, ka thënë Maréchal.
Ai ka vijuar se “duke analizuar këto grimca, ne do të përpiqemi të përcaktojmë nëse rëra siguron lëndë ushqyese, metale ose ndonjë element specifik që mund të ndërhyjë, pozitivisht ose negativisht, në rritjen e algave”.
“BBC” tregon se ekipi shpreson të rrisë kuptimshmërinë për të parë sesi nivelet e hekurit në dëborë dhe nivelet e aciditetit ndikojnë në rritjen e algave të kuqe. Gjithashtu po studiojnë nëse mikroorganizmat e tjerë dhe kafshët që jetojnë së bashku me algat e borës mund të luajnë një rol.
Sipas Maréchal, testet e para mbi mostrat e reja të mbledhura në qershor kanë zbuluar praninë e kafshëve njëqelizore. Edhe pse kjo lidhet me oqeanet dhe liqenet, ku ato formojnë një element kyç të zinxhirit ushqimor, ato mund të mbijetojë në ujërat e shkrirë nga akullnajat dhe dëborës.
Artikulli ravijëzon faktin se hulumtimi i tyre po ndihmon për të krijuar një pamje që edhe pse bora mund të duket se është inerte, ajo në fakt është e mbushur me jetë.
“Teksa bora bie, mjaft shpesh ajo kap minerale dhe elementë si azoti dhe fosfori, si antropogjenikë ashtu edhe natyralë”, ka treguar Benning. Pastaj, algat e borës mund të ushqehen me këto ndërsa bakteret në dëborë formojnë një marrëdhënie trofike me algat.
“Në këtë ekosistem, algat e borës janë prodhuesit kryesorë”, ka thënë Benning. “Kur lulëzojnë, fotosintezojnë, konsumojnë lëndë ushqyese dhe prodhojnë produkte të mbeturinave si sheqerna dhe përbërës të tjerë, të cilët shërbejnë si ushqim i mundshëm për bakteret dhe mikroorganizmat e tjerë”.
Sipas Maréchal, algat, të cilat kanë nevojë vetëm për dioksid karboni dhe dritë, duket se formojnë bazën e një ekosistemi më kompleks që përfshin baktere, kërpudha dhe qeliza shtazore njëqelizore siç është zooplanktoni.
Dhe se teksa këto copëza dëbore me ngjyrë lulëzojnë, janë gjithashtu jetëshkurtra, duke u shfaqur vetëm për disa javë të vitit. Kur moti përsëri ftohet, ngjyra zhduket dhe bora kthehet në ngjyrën e saj të zakonshme të bardhë.
“BBC” ngre një pyetje thelbësore për këtë. Çfarë ndodh në të vërtetë me algat e kuqe gjatë dimrit?
“Një teori është se ato flenë dhe bëhen pothuajse transparente teksa ngrijnë”, ka shpjeguar Benning. “Kur nuk është më e nevojshme, humbasin pigmentimin pasi është një proces që konsumon energji”.
Kurse pigmenti i kuq kthehet çdo vit me diellin dhe nxehtësinë e pranverës së vonë dhe fillimit të verës.
Benning dhe kolegët shkencëtarë do të shohin nga afër njollat në dëborë për atë që mund të na mësojnë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com