Shqipëria

Sejko takohet me zv. drejtorin e FMN-së: Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim zyrtar zëvendës drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.

Takimi u u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i FMN-së është duke zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit në kuadër të vizitës të tij zyrtare në Shqipëri.

Ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues, deklaroi Sejko para zyrtarit të FMN-së.

Megjithatë, guvernatori parashtroi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej.

Kjo, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.

Fillimisht, Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Këta të fundit, sipas tij, kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar.

Në përmbushje të mandatit të saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit tre herë gjatë këtij viti.

“Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare”, u shpreh guvernatori.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së theksoi se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme.

Tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, u shpreh Bo Li, vendi ka vazhduar progresin e tij, falë edhe masave mbështetëse dhe koordinimit përkatës të autoriteteve kryesore në vend.

Kjo, për të kufizuar në kohë efektin e këtyre goditjeve.

“Një meritë e veçantë për këto arritje të mëdha i takon Bankës së Shqipërisë, e cila ka qenë mjaft e suksesshme në zbatimin e politikave të saj, duke kontribuar në një ambient të shëndoshë makroekonomik dhe duke siguruar një treg të konsoliduar bankar në Shqipëri. “Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste”, deklaroi Li.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e FMN-së vizituan edhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore