Shqipëria

Sejko: Inflacioni do të qëndrojë mbi objektivin e BSH-së, për dy vitet në vazhdim


Gjatë një deklarate për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sanksionet ndaj Rusisë dhe tensioni gjeopolitik do të japë goditje në ekonominë shqiptare, por kjo nuk do të thotë që ekonomia nuk do të rritet.

Inflacioni, tha ai, do të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, për të paktën dy vitet në vazhdim.

“Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe përgjatë 2022-shit. Rritja ekonomike do të ngelet në nivele pozitive, edhe nëse goditet. Inflacioni do të luhatet rreth 5-6%. Më pas në 2023-shin inflacioni do të vijë në rënie”.

Banka e Shqipërisë, njofton Sekjo, ka vendosur të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit.

“Vendosëm rritje me 0.5 % të normës bazë të interesit. Nga 0.5% që ishte, tani do të jetë 1%”.

Sipas Guvernatorit, ekonomia botërorë është duke u përballur me çmime të larta.

“Si pasojë e kësaj, çmimet do të rriten edhe në Shqipëri”, tha ai.

Pasojat në çmime, vijon Sejko, do i ndjejnë më shumë lëndët e para dhe ushqimet bazë.

Përsa i përket rritjes ekonomike, Guvernatori pohoi se 4-mujori i tretë i vitit 2021 njohu rritje të vendeve të punës.

“Rritja ekonomike është pasqyruar në rritje graduale të punësimit dhe përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave. Në veçanti, të dhënat e Instat-it tregojnë se punësimi u rrit me 2.1% në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërsa paga në sektorin privat u rrit me 10.2%”.

“Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e rreziqeve mbi inflacionin mbetet në kahun e sipërm. Për këtë arsye, ai do të monitorojë në vazhdimësi reagimin e ekonomisë shqiptare ndaj kësaj goditjeje dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm”, mbylli fjalën e tij Guvernatori Sejko.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore