Kosova

“Sanksionet mund hiqen së shpejti” | Selimi: Rezultat i qasjes së re të Kallasit


Petrit Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, në një postim në platformën “X” të mërkurën, ka thënë të ketë dëgjuar se së shpejti pritet të hiqen masat e vendosura kundër Kosovës më shumë se një vit më parë, duke shtuar se heqja e tyre vjen si rezultat i ardhjes së ish-kryeministres estoneze, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE).

“Dëgjoj në Bruksel se sanksionet ndaj Kosovës mund të hiqen së shpejti, rezultat i mendimit të ri të Kallasit. Ato janë vënë në mënyrë të padrejtë ndaj qeverisë së Kosovës, kur merren parasysh aktet e çmendura që Serbia ka kryer dhe ka kaluar pa asnjë pasojë. Pra, kjo mund të jetë një qasje e re”.

BE-ja dhe shtetet anëtare, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) vazhdojnë t’u kërkojnë autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga “hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar” që mund të rrisin më tej tensionet, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës muaj më parë, por shtetet anëtare akoma nuk kanë vepruan në bazë të raportit. BE-ja ka paralajmëruar më herët se veprimet e fundit të qeverisë mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të pezullohen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pra, duhet të angazhohemi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që të mund të normalizojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në këtë sfond, një asociacion komunash me shumicë serbe bëhet një mjet për një qëllim shumë më të lartë me rëndësi themelore për sigurinë e ardhshme e republikës sonë”, ka shtuar ndër të tjera ish-shefi i diplomacisë kosovare.

Ndryshe, për vëzhguesit e dialogut Kosovë-Serbi, emërimi i kryeministres së parë grua të Estonisë në pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duke zëvendësuar kështu diplomatin spanjoll, mund të jetë zhvillim pozitiv për Kosovën, posaçërisht në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova shpreson se “ndërmjetësimi i pabarabartë” do të marrë fund pas ardhjes së Kallasit në krye të diplomacisë së BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore