Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përkatësisht kryetari i saj, Lumir Adixhiku, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke pasur parasysh situatën e krijuar në mes të Kosovës dhe aleatëve të saj – të cilët kanë prezantuar disa masa ndaj Prishtinës; në rast se e njëjta nuk pranon kërkesat e tyre për de-përshkallëzimin e situatës në Veri – kanë paralajmëruar aksione opozitare në funksion të kundërshtimit të politikave të kryeministrit Albin Kurti, në raport me ndërkombëtarët.
Si Abdixhiku, njashtu edhe Krasniqi e kanë akuzuar Kurtin për izolim të Kosovës, dhe se po e vë shtetin në hartën e vendeve që kanë sanksione nga bota demokratike.
Të dy këta, sipas pikëpamjeve të tyre kanë paraqitur edhe format se si do ta kundërshtojnë këtë politikë të kryeministrit Kurti.
Abdixhiku – i cili prezantoi i pari “planin për daljen nga kriza”, më 29 qershor – ka thënë se do të flasë me shoqërinë civile e me mediat, ndërsa Krasniqi njoftoi se këtë do ta diskutojë në Këshillin Drejtues të partisë që ai e udhëheqë.
Çka saktësisht propozuan?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të enjten ka paralajmëruar se do të prezantoj një plan për dalje nga kriza dhe izolimi i Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku kishte thënë se fillimisht për ta prezantuar këtë plan do të ftoj akterë të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera.
“Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë”.
“Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka shkruar ai.
Sipas kreut të LDK-së, Kosova sa i përket marrëdhënieve me ndërkombëtarët asnjëherë nuk ka qenë më keq sesa aktualisht.
“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën”.
Kreu aktual i ekzekutivit kosovar, në prizmin e Abdixhikut nuk mund ta bëjë vendin një shtet evropian.
“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit”.
“Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur”.
Ndër të tjera ka shtuar se, “e vërteta është e trishtë”.
Por, ai beson se plani i tij “për daljen nga kriza” do t’i hapë Kosovës një rrugë të re, dhe kjo pa kryeministrin Albin Kurti.
“Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”.
“Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie”.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të premten tha se Kosova nuk mundet që të jetë peng e tekave të kryeministrit Albin Kurti, dhe për këtë ai ka njoftoi se ka thirrur një takim të Këshillit Drejtues të partisë së tij për të diskutuar gjendjen aktuale, por edhe për hapat që duhen të ndërmerren.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi potencoi se Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, “duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët tanë kryesorë, ndërsa po e keqqeverisë nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve”.
“Pas përjashtimit të Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja e NATO-s, “Defender Europe 23”, tani edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar një sërë sanksionesh për vendin tonë, si pasojë e një qeverie aventuriere, e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente”.
Krasniqi vlerëson se me veprimet që po bënë, “ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”.
“A është e mundur që të gjithë ta kenë keq e vetëm Albin Kurti ta ketë mirë? Natyrisht që nuk është e mundur dhe i gabuar këtu është Kryeministri Kurti”, shtoi ai.
Ndërkaq, kreu i PDK-së theksoi se “të gjithë e dimë se nëpër çfarë sfida ka kaluar vendi ynë që nga çlirimi, për të arritur shpalljen e pavarësisë e deri tek ndërtimi i institucioneve dhe zhvillimi i vendit”.
“Këtë rrugëtim të suksesshëm e kemi bërë vetëm falë koordinimit të ngushtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë strategjik, në krye të të cilëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”.
Duke pasur parasysh këtë situatë të krijuar, Krasniqi potencon se lidershipi i partisë që ai e udhëheqë ka qenë në terren për të bashkëbiseduar me anëtarësinë e partisë dhe “me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë”.
“Krahas këtyre mbi 150 takimeve nëpër fshatra e qytete të Kosovës, unë kam zhvilluar takime edhe në Prishtinë me përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, me akterë të jetës publike, me përfaqësues të mediave, përfaqësues të sektorëve të arsimit e shëndetësisë dhe të shumë sektorëve të tjerë, të cilët janë të brengosur me këtë mentalitet autokratik të qeverisjes dhe me izolimin ndërkombëtar që po e pëson vendi ynë”.
Lideri i opozitës, pohon se pas këtyre konsultave dhe diskutimeve, ka vendosur që të hënën ta ftojë mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, “për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh”.
“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese”.
Ai vlerëson se situata aktuale në Kosovë nuk është normale dhe “nuk mund ta simulojmë normalitetin”.
“Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”.
Ndryshe, përderisa në Bruksel po mbahej samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim ishin edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli Evropian ka miratuar të premten konkluzionet e këtij takimi ku në paragrafin e kushtuar Kosovës dhe Serbisë theksohej se ky organ i Unioni dënon incidentet e fundit të dhunës në Veri të Kosovës duke i bërë thirrje palëve për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës bazuar në planin tre-pikësh të prezantuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Kosova dhe Serbia, sipas konkluzionit të Këshillit Evropian, duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në Veri të Kosovës, në të kundërtën do të ketë pasoja negative.
“Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në Veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”.
Gjithë në këtë mes sipas Këshillit Evropian është tepër kruciale kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve në Bruksel duke zbatuar në mënyrë të shpejtë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Është thelbësore që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të vazhdojë. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.
Ndërkombëtarët do ta konsiderojnë “thikë pas shpine” nëse Kosova vazhdon me këtë kurs
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë