Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç, dy ditë pas lirimit nga paraburgimi, ka folur për herë të parë për momentin e arrestimit dhe për rrahjen brutale që ia bëri shërbimi sekret serb.
Sanduloviç ka thënë se shërbimi sekret serb “më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time”, raporton media britanike “The Guardian”.
Lideri i Partisë Republikane Serbe, ka treguar se u morë nga shtëpia e tij 10 ditë më parë dhe iu nënshtrua abuzimit të dhunshëm për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi inteligjent serb.
“Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe, të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin tim, por edhe jetën time”, ka thënë ai.
“E gjithë kjo për shkak të shprehjes sime politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari”, ka shtuar ai.
Sanduloviç u lirua të hënën e 15 janarit nga paraburgimi ku po mbahej në qytetin jugor të Serbisë, Nish.
Sanduloviç ishte arrestuar dhe rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi që kishte ripostuar më 2 janar në platformën X, një video të mëparshme duke bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, ku kishte vendosur kurora lulesh në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndërsa, ish-drejtori i shkarkuar i BIA-së serbe, Aleksandër Vulin, kishte thënë se Sanduloviç është arrestuar nga ky institucion përmes një urdhri të lëshuar nga ai sa ishte në krye të këtij mekanizmi shtetëror.
“Sanduloviçin e kanë ndaluar sipas urdhrit tim, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u ndalua me dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe duke punuar aktivisht për të mbështetur Kosovën”, kishte thënë Vulin për mediumin propagandistik serb, Novosti.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com