Sport

Sainz falënderon policinë e Milanos pas tentativës për vjedhjen e orës së tij


Piloti i Ferrarit në Formula 1, Carlos Sainz, ka falënderuar policinë e Milanos pas një tentative të dështuar për të vjedhur orën e tij pas Grand Prix në Monza.

Mediat italiane kanë thënë se hajdutët e rrugës u larguan me orën Richard Mille, e cila vlen të paktën 300 mijë euro.

Por u arrit që hajdutët e orës të ndaloheshin dhe të arrestoheshin me orën e kthyer.

Raportimet e mediave të atjeshme kanë bërë me dije se Sainz dhe një truproje i ndoqën hajdutët dhe u ndihmuan nga kalimtarët derisa mbërriti policia.

Ai ka konfirmuar ndërkaq në një postim në Instagram për 7.5 milionë ndjekësit e tij se kishte “përjetuar një incident fatkeq” në qytet.

“Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë jemi mirë dhe kjo do të mbetet vetëm si një anekdotë e pakëndshme”, ka thënë Sainz.

Sakaq, ai përfundoi i treti në garën e së dielës dhe festoi me një mori tifozësh të Ferrarit.

“Shumë faleminderit për të gjithë njerëzit që na ndihmuan dje, për policinë e Milanos për ndërhyrjen e shpejtë dhe faleminderit për të gjitha mesazhet tuaja”, ka përmbyllur ai mesazhin në Instagram.

Edhe shokut të ekipit të Sainz, Charles Leclerc, iu vodh ora Richard Mille në vendpushimin bregdetar italian të Viareggio në prill të vitit të kaluar.

Vjedhja në fjalë ndodhi kur pilotit të Formula 1 iu afruan dy persona të veshur me helmeta motoçikletë dhe i kërkuan një selfie.

Ndërkohë, Lando Norris i McLaren-it iu vodh një orë me edicion të kufizuar nga i njëjti prodhues në stadiumin Wembley të Londrës pas finales së futbollit të Euro 2020 midis Anglisë dhe Italisë.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore