Ryan Crouser theu rekordin e tij olimpik për të mbrojtur titullin e hedhjes së gjyles në “Tokyo 2020”.
Amerikani arriti një gjuajtje prej 23.30 metrash në përpjekjen e tij të fundit në kushte të vështira në Stadiumin Olimpik.
Mbajtësi i rekordeve botërore mbajti epërsinë që nga gjuajtja e tij e parë, duke e shtyrë bashkatdhetarin dhe kampionin botëror Joe Kovacs në vendin e dytë pas përpjekjes së tij më të mirë prej 22.65m.
Sportisti i Zelandës së Re, Tomas Walsh, fitoi medaljen e bronztë me hedhjen e tij prej 22.47m.
Është hera e parë në një sport individual që podiumi olimpik nuk ka ndryshuar që nga Lojërat e mëparshme.
Crouser, i cili theu rekordin botëror prej 23.37m në provat olimpike amerikane në qershor, u rrit në një familje atletësh dhe e vlerëson gjyshin e tij Larry për dashurinë e tij ndaj këtij sporti.
Pasi fitoi medaljen e artë në Tokio, Crouser veshi një kapelë kauboi dhe u tregoi kamerave një shenjë të bërë në shtëpi duke thënë: “Gjysh, ne fituam, kampion olimpik i vitit 2020”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com