Lajme

Rusia rrit ndikimin në Donbas


Donba

Mallrat e prodhuara në zonat e kontrolluara nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore në bazë të një dekreti të Kremlin-it do të gëzojnë të drejtën e barabartë me mallrat e prodhuara në Rusi.

Dekreti është nënshkruar nga vet Presidenti rus, Vladimir Putin të hënën e 15 nëntorit ku u jep autoriteteve ruse një muaj kohë për të bërë rregullimet e nevojshme ligjore për këtë masë që heq kufizimet tregtare të bazuara në sasi midis Rusisë dhe rajoneve Donetsk dhe Lugansk të Ukrainës, tashmë prej vitesh nën kontrollin e spiritistëve pro-rus.

Ky veprim i Moskës nga ana e ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare po shihet si një hap drejt aneksimit të këtyre rajoneve ukrainase.

Rajoni i Donbasit me 30% eksporteve totale të Ukrainës

Njëri nga rajonet i cili sillte rreth 30% të eksporteve totale të Ukrainës deri në vitin 2014, ishte Donbas-i. Por, rezervat e qymyrit në këtë rajon llogaritet se janë prej rreth 60 miliardë tonësh.

Dikur ky rajon prodhonte 75% të të gjithë qymyrit ukrainas përpara se separatistët pro-rusë të shpallnin të ashtuquajturën pavarësinë e tyre.

Ndërsa produktet metalurgjike, si dhe lokomotivat me naftë dhe pajisjet industriale, të prodhuara në Donbas pritet gjithashtu të kenë qasje më të lehtë në tregun rus.

Vagonët e mbushur me qymyr-Donbas

Pasaporta ruse për mbi 1 milion qytetarë

Putin në vitin 2018 kishte nënshkruar një dekret që njihte dokumente të ndryshme ligjore të rajonit Donbas, si pasaportat dhe certifikatat e lindjes dhe vdekjes, si të vlefshme edhe në Rusi.

Ministria e Brendshme ruse më vonë kishte njoftuar se më shumë se 1 milion njerëzve në këtë rajon u ishin dhënë pasaporta ruse.

Pasaporta ruse

Nga ana tjetër Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte deklaruar se të njëjtat masa ishin futur më parë në Krime si hapi i parë drejt aneksimit në vitin 2014.

Kiev-a zyrtare ka kundërshtuar veprimet e Rusisë në rajonin e Donbas ku ë fundi i mundësoi qytetarëve të këtij rajoni të votojnë për zgjedhjet në Rusi.

Nga ana tjetër Rusia dihet se ofron mbështetje ushtarake për Donbasin.

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) në raportet e tij, pretendon se Rusia i ka ofruar rajonit tanke, raketa anti-ajrore dhe armë anti-tank.

Beteja vendimtare në Ilovaisk në gusht 2014 ishte vetëm faza përfundimtare në procesin e përshkallëzimit të angazhimit të Rusisë.

Sipas burimeve të SIPRI thuhet se “nga mesi i gushtit, para betejës, kishte 20 000–25 000 trupa që luftonin në Donbas dhe vetëm 40–45 për qind e tyre ishin ‘vendas’”.

Separatistët pro-rusë gjatë luftimeve në Ilovaisk – gusht 2014

Kriza e Donbasit

Presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç nuk nënshkroi Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian (BE), pasi që ai kërkonte lidhje më të ngushta ekonomike me Federatën Ruse. Pas kësajë, shpërthyen demonstratat në kryeqytetin ukrainas, Kiev, përkatësisht më 21 nëntor të vitit 2013.

Protestat ishin masive dhe kishin bllokuar thuajse të gjitha institucionet qeverisëse, ndërsa dhuna ndaj tyre ishte shtuar nga ana  policisë.

Protestat në Kiev-2013

Kur presidenti, Yanukovych u largua nga vendi në shkurt 2014, demonstratat u rritën ndërsa separatistët pro-rusë shpallën të ashtuquajturën pavarësinë e tyre në Donetsk dhe Lugansk në pjesën lindore të Ukrainës.

Që nga viti 2014, më shumë se 13 mijë njerëz janë vrarë në përleshjet midis separatistëve dhe qeverisë së Kievit, ndërsa kjo e fundit tashmë nuk shtrin kontrollin e saj në këto rajone.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore