Lajme

Rusia po prodhon dron të ri kamikaz me pjesë kineze, sipas Reuters-it


Autoritetet ruse kanë nisur prodhimin e një droni të ri sulmi me rreze të gjatë, duke përdorur motorë dhe pjesë kineze.

Droni i quajtur Garpiya-A1, është zhvilluar prej vitit të kaluar dhe është vendosur në luftën në Ukrainës.

Kështu zbulon agjencia “Reuters”, duke cituar dy burime nga një agjenci e inteligjencës evropiane.

Inteligjenca përfshinte një kontratë prodhimi për dronin e ri dhe korrespondencën e kompanisë mbi procesin e prodhimit si dhe dokumentet financiare.

Brenda tyre vërehej se IEMZ Kupol, një degë e prodhuesit shtetëror rus të armëve Almaz-Antey, prodhoi më shumë se 2 mijë e 500 Garpiya nga korriku i vitit 2023 deri në korrik 2024.

Ekzistenca e dronit të ri rus që përfshin teknologjinë kineze nuk është raportuar më parë, shkruan agjencia britanike.

Dy burimet e inteligjencës thanë se Garpiya, që do të thotë Harpy në rusisht, është vendosur kundër objektivave ushtarake dhe civile në Ukrainë, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën kritike, si dhe viktima civile dhe ushtarake.

Ata ndanë me Reuters atë që ata thanë se ishin imazhe nga Ukraina të rrënojave të një Garpiya, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Samuel Bendett, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane, një institut me bazë në Washington DC, i tha Reuters se Garpiya, nëse konfirmohet, do të shënonte një largim nga mbështetja e Rusisë në dizajnet iraniane për dronët me rreze të gjatë.

“Nëse kjo po ndodh, kjo mund të tregojë se Rusia tani mund të mbështetet më shumë në zhvillimin e brendshëm, si dhe, padyshim, në Kinë, pasi të dyja palët në këtë luftë varen nga shumë komponentë kinezë për prodhimin e dronëve”, theksoi Bendett.

Irani ka furnizuar më shumë se një mijë drone Shahed “kamikaze” në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në maj të vitit të kaluar.

Ato janë përdorur për të shterur mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të goditur infrastrukturën larg vijave të frontit. Irani ka mohuar vazhdimisht dërgimin e dronëve në Rusi për përdorim në Ukrainë.

Ministria e Jashtme kineze reagoi përmes një deklarate për Reuters duke shtuar se Pekini kontrollon rreptësisht eksportin e artikujve me aplikime të mundshme ushtarake, përfshirë dronët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore