Për më shumë se gjysmën e kompanive shqiptare, rritja e pagës minimale vitin e kaluar po merr nga fitimet e tyre.
Të paktën kështu tregon një sondazh i Këshillit Shqiptar të Investimeve.
Afro 57 për qind e të anketuarve në sondazh kanë treguar se paga më e lartë minimale ka ndikuar në rezultatet e tyre përfundimtare.
Megjithatë, gjysma besojnë se rritja ka qenë e nevojshme.
Paga minimale më e lartë ka çuar në një rritje prej 30 për qind të kostove operative për 84 për qind të bizneseve pjesëmarrëse në anketë.
Referuar 24 për qind të të anketuarve, rritja i detyroi ata të rrisin çmimet, ndërsa 16 për qind prej tyre duhej të pushonin nga puna.
Për sa i përket anketës, ajo u krye përmes një kampioni prej 506 të anketuarish anonimë nga një bazë të dhënash prej 35 mijë kompanish.
Paga minimale në Shqipëri u ngrit me 11,7 për qind në 34 mijë lekë në vitin 2022. Që nga prilli 2023, ajo u rrit më tej, në 40 mijë lekë.
Paçka pagave më të larta, vetëm 18 për qind e përfaqësuesve të kompanive, kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe turizmit, i perceptojnë punonjësit e tyre si më produktivë.
Kompanitë janë të ndara për ndikimin e pagave minimale në konkurrueshmërinë e tyre, me 39 për qind të paprekur dhe 37 për qind që besojnë se rritja i ka bërë më pak konkurrues.
Disa biznese, sipas raportit, presin që qeveria të ofrojë subvencione, siç është lehtësimi i taksave, për t’i ndihmuar ata të përballen me kostot e shtuara së fundmi.
Sakaq, qeveria është zotuar të subvencionojë kostot shtesë të sigurimeve shoqërore me 1 mijë e 674 lekë në muaj për punonjësit.
Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të nxitur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të promovuar qeverisjen e mirë.
Marrë nga “SeeNews”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com