Lajme

Rreth 400 kafka majmuni sekuestrohen në aeroportin e Paris-it


Zyrtarët e doganave në aeroportin Charles de Gaulle në Paris thonë se kanë sekuestruar pothuajse 400 kafka nga speciet e mbrojtura të majmunëve gjatë shtatë muajve të vitit të kaluar.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Al Jazeera”.

Agjentët doganorë në aeroportin më të madh të kryeqytetit francez thanë të enjten se ata kapën 392 pako të postuara nga maji deri në dhjetor 2022 që përmbanin kafka primatësh kryesisht nga Kameruni dhe të destinuara për marrësit në Shtetet e Bashkuara.

Ata sekuestruan edhe qindra pako të tjera me kafka ose kocka nga specie të tjera.

Asnjë nga sendet e sekuestruara nuk përfshinte asnjë autorizim ligjor për shitjen e specieve të mbrojtura, tha dogana.

Ky biznes gjeneron 8 miliardë deri në 20 miliardë euro (8.5 miliardë deri në 21.3 miliardë dollarë) në vit, zbuluan autoritetet.

Sipas raporteve të lajmeve, kafkat me gjasë ishin të destinuara për koleksionistë dhe klube gjuetie në SHBA, ku kafkat paraqiten si dhurata ose çmime.

Zyrtarët e doganës së pari u bënë të vetëdijshëm për tregtinë e kafkës së majmunit në maj 2022 kur zbuluan shtatë kafka që ishin postuar nga Afrika.

Ata intensifikuan kërkimin e tyre dhe gjetën dhjetëra të tjerë, kryesisht nga familja cerkopitekoide, e cila përfshin makakë, babunë dhe mandrille, dhe nga shimpanzetë.

Kafkat e primatëve të vegjël kushtojnë 30 deri në 50 euro (32 deri në 53 dollarë) secila, ato më të mëdhatë 400 deri në 500 euro (426 deri në 532 dollarë) dhe kafkat e shimpanzeve deri në 1 mijë euro (1 mijë e 65 dollarë).

Ekziston gjithashtu një biznes i lulëzuar në mbetjet e specieve të tjera, duke përfshirë lundërza, macet e mëdha, hardhucat dhe zogjtë grabitqarë.

Kafkat do t’i dorëzohen Muzeut të Historisë Natyrore në Aix-en-Provence në Francën jugore për vlerësim shkencor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore