Rrënojat e Teatrit të Neron-it, një teatër perandorak i përmendur në tekstet e lashta romake, por që nuk u gjet kurrë, janë zbuluar nën kopshtin e një hoteli disa hapa larg Vatikanit.
Arkeologët në Romë kanë gërmuar thellë nën kopshtin e rrethuar me mure të Palazzo della Rovere që nga viti 2020, si pjesë e rinovimeve të planifikuara në ndërtesën e Rilindjes me afreske.
Palazzo, i cili zë një bllok të qytetit përgjatë rrugës së gjerë Via della Conciliazione që çon në sheshin e Shën Pjetrit, është shtëpia e një urdhri të lashtë kalorësiak të Vatikanit që i jep hapësirën një hoteli për të mbledhur para për të krishterët në Tokën e Shenjtë.
Guvernatori i përgjithshëm Leonardo Visconti di Modrone ka konfirmuar gjatë një konference shtypi duke njoftuar zbulimin se zinxhiri i hoteleve që do të pushtonte vendin ishte Four Seasons.
Sipas raportimeve, hoteli pritet të jetë i hapur në kohë për jubileun e Vatikanit 2025, kur rreth 30 milionë vizitorë dhe pelegrinë pritet të vizitojnë Romën.
Sakaq, zyrtarët kanë thënë se gjetjet ishin “të jashtëzakonshme” sepse ato dhanë një vështrim të rrallë në një periudhë të historisë romake nga perandoria deri në shekullin e XV-të.
Ndër zbulimet kanë qenë gota qelqi me ngjyra të shekullit të X-të dhe pjesë qeramike që janë të pazakonta, sepse dihet kaq pak për këtë periudhë në Romë.
Marzia Di Mento, kryearkeologia e zonës, ka thënë se më parë ishin gjetur vetëm shtatë kupa qelqi të epokës dhe se gërmimet e këtij vendi kishin gjetur shtatë të tjera.
Arkeologët gjetën kolona mermeri dhe suva të zbukuruara me fletë ari, duke i çuar ata në përfundimin se Teatri i Neron-it, i përmendur në tekstet e Plini Plakut, autorit dhe filozofit të lashtë romak, ndodhej me të vërtetë në atë vend, buzë lumit Tiber.
Referuar zyrtarëve, antikat do të çoheshin në një muze, ndërsa rrënojat e vetë strukturës së teatrit do të mbuloheshin sërish pasi të përfundonin të gjitha studimet.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com