Lojëra

Rregullatori kinez ndalon bashkimin e video-lojërave të Tencent-it


Në Kinë, rregullatori i tregut ka njoftuar se do të ndalojë planin e Tencent Holdings Ltd për të bashkuar dy faqet kryesore të transmetimit të video-lojërave në vend, Huya dhe DouYu, mbi baza antikonkurruese.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo lëvizje e rregullatorit kinez ka ardhur pasi vitin e kaluar Tencent-i njoftoi planet për të bashkuar Huya dhe DouYu në një lidhje të krijuar për të drejtuar aksionet e saj në firma.

Dhe nga firma e të dhënave, MobTech, ato u vlerësuan të kishin një pjesë prej  80 për qind të një tregu me vlerë më shumë se tre miliardë dollarë dhe që njëkohësisht ishte duke u rritur me ritme të shpejta.

Tencent-i është aksioneri më i madh në Huya me 36.9 për qind dhe gjithashtu zotëron mbi një të tretën te DouYu, me të dy firmat e listuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me një vlerë të kombinuar të tregut prej 5.3 miliardë dollarësh.

Në bazë të Administratës Shtetërore të Rregullimit të Tregut (SAMR), pjesa e kombinuar e tregut të Huya dhe DouYu në industrinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të video-lojërave do të ishte mbi 70 për qind dhe bashkimi i tyre do të forconte dominimin e Tencent-it në këtë treg.

Kjo do të ndodhte pasi Tencent-i tanimë zotëron mbi 40 për qind të tregut në segmentin e operacioneve të lojërave në internet.

Për sa i përket dy faqeve, Huya dhe DouYu, ato renditen si dy faqet më të njohura të Kinës për transmetimin e video-lojërave, ku përdoruesit dynden për të parë turne në e-sporte dhe gjithashtu ndjekin lojtarë profesionistë.

Në një deklaratë, Tencent-i ka thënë se “do t’i përmbahet vendimit, në përputhje me të gjitha kërkesat rregullatore, do të veprojë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe do të përmbushë përgjegjësitë tona shoqërore”.

Edhe DouYu ka deklaruar se “e respekton plotësisht vendimin rregullator dhe po bashkëpunon në mënyrë aktive me kërkesat rregullatore për të vepruar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”.

Kjo mbyllje e marrëveshjes vjen në mes të një goditje të vazhdueshme ndaj kompanive të teknologjisë kineze nga qeveria.

Në fillim të këtij viti, rregullatori antimonopol vendosi një gjobë rekord prej 2.75 miliardë dollarë për gjigantin e tregtisë elektronike, Alibaba, për përfshirje në sjellje anti-konkurruese.

Zhang Chenying, një anëtar i komitetit antitrust të këshillit të shtetit, argumentoi se marrëveshja do të parandalonte konkurrencën e ndershme.

“Nëse Huya dhe DouYu do të bashkohen, kontrolli origjinal i përbashkët i Douyu do të bëhet kontrolli i plotë i Tencent-it mbi një njësi të bashkuar”, ka thënë Zhang.

Gjithashtu “duke marrë parasysh faktorë të tillë si të ardhurat, përdoruesit aktivë, burimet e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe indekse të tjerë kryesorë, ne mund të presim që një bashkim të eliminojë ose kufizojë konkurrencën e ndershme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore