Aplikacione

Rregullat e App Store shkelin ato të teknologjisë së BE-së, sipas rregullatorëve


Rregullat e App Store të Apple shkelin rregullat e teknologjisë së BE-së sepse pengojnë zhvilluesit e aplikacioneve të drejtojnë konsumatorët drejt ofertave alternative.

Kështu kanë thënë rregullatorët antitrust të BE-së, një akuzë kjo, që mund të rezultojë në një gjobë të madhe për prodhuesin e iPhone.

Komisioni Evropian, i cili gjithashtu vepron si rregullatori antitrust dhe i teknologjisë së BE-së, ka treguar se ia kishte dërguar Apple gjetjet e tij paraprake pas një hetimi të nisur në mars.

Akuza kundër Apple është e para nga Komisioni sipas Aktit të tij historik të Tregjeve Digjitale, i cili kërkon të frenojë fuqinë e Big Tech dhe të sigurojë një fushë loje të barabartë për rivalët më të vegjël.

Dhe ka afat deri në mars të vitit të ardhshëm për të nxjerrë një vendim përfundimtar.

Shefja e antitrustit të BE-së, Margrethe Vestager, ka përmendur probleme me kushtet e reja të Apple.

“Ne mendojmë se këto kushte të reja nuk i lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve të komunikojnë lirshëm me përdoruesit e tyre përfundimtarë dhe të lidhin kontrata me ta”, ka thënë ajo në një konferencë.

Komisioni ka deklaruar se në shumicën e kushteve të biznesit, Apple lejon drejtimin vetëm përmes ‘lidhjeve’, që do të thotë se zhvilluesit e aplikacioneve mund të përfshijnë një lidhje në aplikacionin e tyre që e ridrejton klientin në një faqe interneti ku klienti mund të lidhë një kontratë.

Ai ka kritikuar gjithashtu tarifat e ngarkuara nga Apple për lehtësimin nëpërmjet App Store blerjen fillestare të një klienti të ri nga zhvilluesit, duke thënë se ato shkuan përtej asaj që ishte rreptësisht e nevojshme për një shpërblim të tillë.

Apple ka njoftuar se kishte bërë një sërë ndryshimesh në muajt e fundit për t’u pajtuar me DMA, pasi mori reagime nga zhvilluesit dhe Komisioni.

“Ne jemi të bindur se plani ynë përputhet me ligjin dhe vlerësojmë se më shumë se 99 për qind e zhvilluesve do të paguanin të njëjtën ose më pak tarifa për Apple sipas kushteve të reja të biznesit që ne krijuam”, ka thënë kompania në një email.

Ekzekutivi i BE-së ka bërë me dije se po hapte gjithashtu një hetim ndaj prodhuesit të iPhone lidhur me kërkesat e tij të reja kontraktuale për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta dhe dyqanet e aplikacioneve dhe nëse këto ishin të nevojshme dhe proporcionale.

Shkeljet e DMA mund t’u kushtojnë kompanive gjoba deri në 10% të qarkullimit të tyre vjetor global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore