Kosova

Rrëfimi i ushtarëve të KFOR-it: Një shkëndijë e vogël mund të prishë gjithçka, duhet të jesh shumë i shpejtë në reagim


KFOR

Situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ka marrë vëmendjen e gazetës zvicerane “Tribune de Geneve” në gjuhën frënge, ndërsa ushtarët e kontigjentit zviceran të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë folur për gazetën rreth protestave të fundit të serbëve në veriun e vendit dhe mundësisë së përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

“Kur grumbullohen qindra apo mijëra njerëz, një shkëndijë e vetme mund të prishë gjithçka”, ka paralajmëruar komandanti i kontingjentit zviceran, Cyrus Wagner, duke shtuar gjithashtu se “duhet të jesh shumë i shpejtë në reagim”.

E oficeri zviceran i stafit të inxhinierisë civile në kuadër të KFOR-it, Jonas Doggart, ka thënë mes tjerash se “kur nuk ka protestues, atëherë mund të ketë eksplozivë”. “Zakonisht eksplozivët janë të dukshëm – qëllimi i tyre nuk është të shkaktojnë lëndime, por për të treguar se çfarë janë të aftë të bëjnë”.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë, krahas largimit të dinarit. Por, lëvizjet janë kundërshtuar nga serbët lokalë, zyrtarët serbë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu, tensionet janë rritur edhe më shumë pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ndryshe, përkundër se situata në pjesën veriore është pak më e qetë pas terrorizmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore