Sport

Rossi: MotoGP, politikë dhe familje


Në 16 Shkurt Rossi do të mbushë 42 vjeç, megjithatë dëshira për të garuar dhe fituar është e njejtë me 20 vjet më parë. “Nuk ndryshon kushediçfarë, gjithmonë shtyj në maksimum duke shmangur budallallëqet”, shpjegon Valentino në një intervistë për Corriere della Sera.

Do të jetë një 2021 special për numrin 46, pjesëmarrja e parë me ekipin Petronas Yamaha, duke ndarë box-in me mikun e tij Franco Morbidelli. Fabrika Yamaha, pas kaq shumë vitesh fituese me Rossi-n, tani do të garojë me Quartararo dhe Vinales: “Ata i zgjodhën pilotët e 2021-it para se të fillonte 2020-a dhe është një gabim për mendimin tim, është një ves i MotoGP, por besoj se Fabio dhe Maverick do të ecin mirë”, thotë Valentino.

Sezoni i ri do të fillojë në 28 Mars në Katar. Ekipi ka ndryshuar, por ambiciet e Rossi-t janë gjithmonë të njëjtat: “Titulli i dhjetë? Unë pilotoj sepse mendoj që mund të fitoj, nuk është një mani: Do të isha i lumtur të isha protagonist në garë dhe të hipja në podiume”.

Një “The Doctor” (nofka e Valentino-s) që tani, në moshën 42 vjeç, ka edhe interesa të tjerë përveç motoçikletave: “Në moshën time, përparësitë ndryshojnë. Në njëzet vjeç mendon për gara e vetëm për gara. Dhe në fund, ç’ndodh midis një gare e një tjetre nuk e mbaj mend. Tani është ndryshe, edhe mendimet janë të tjera. Ndjek pak politikën edhe pse nuk e kuptoj mirë, por e ndjek”.  Edhe nga pikëpamja sentimentale, Rossi duket se tashmë ka gjetur stabilitet me të dashurën e tij Francesca Sofia Novello: “Ne e gjetëm njëri-tjetrin, kemi natyra të ngjashme, ajo është një grua e përkushtuar dhe gazmore, është pozitive”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore