Aktorja amerikane e nominuar për “Oscar”, Rooney Mara, thuhet se do të luajë një yll ikonë nga Epoka e Artë e Hollywood-it.
Sipas Deadline dhe Variety, Mara do të luajë në rolin e humanistes dhe aktores së famshme britanike, Audrey Hepburn, në një film biografik të ardhshëm të Apple Studios.
Hepburn, e cila vdiq në vitin 1993 në moshën 63-vjeçare nga kanceri, u shfaq në filma klasikë si “Roman Holiday”, “Breakfast at Tiffany’s” dhe “My Fair Lady”.
Ajo ishte gjithashtu e njohur për ndikimin e saj në modë, si dhe për punën e saj bamirëse ndërkombëtare si ambasadore e vullnetit të mirë për UNICEF.
Në anën tjetër, Mara, 36 vjeçe, është shfaqur në disa dhjetëra filma dhe njihet më së shumti për rolet e saj në “The Girl with the Dragon Tattoo” dhe “Carol”, të cilat të dyja fituan nominimet e saj për “Oscar”.
Filmi i saj i fundit është “Nightmare Alley” i regjisorit meksikan, Guillermo del Toro.
Ajo thuhet se do të shërbejë gjithashtu si një nga producentet e projektit, i cili do të drejtohet nga Luca Guadagnino, i cili drejtoi filmin tejet të suksesshëm të vitit 2017 – “Call Me by Your Name”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com