Shqipëria

Roli i psikologut në skenarët e mësimdhënies


Procesi mësimor mbetet tejet i sqaruar, por mënyra sesi do të funksionojë puna e psikologëve në shkollë është ende e paqartë.

Shumica e vendeve evropiane kanë ngritur platforma online për psikologët, të cilët shërbejnë në shkolla.

Ata lidhen me nxënësit nëpërmjet platformave përkatëse, si për shembull Be Happy.

Në Shqipëri aktualisht nuk ka asnjë platformë të tillë. Psikologët, në shkollat që zhvillojnë mësimin online, shprehen se vetëm rolin e psikologes nuk po ushtrojnë.

Psikologia nga Lezha për Albanian Post (AP) rrëfen sesi psikologët po japin mësim për lëndët shoqërore, duke u zbehur plotësisht roli i tyre te nxënësit.

Roli i psikologut në kushtet online

Sipas psikologes Elona Mustafaraj, “roli i psikologut është i rëndësishëm për të ndihmuar nxënësit dhe mësuesit, në menaxhimin e problematikave që shfaqen në aspektin e të mësuarit dhe të nxënit”.

Psikologia thekson për AP-në se “një ekspertizë profesionale do të ndihmonte sidomos në lehtësimin e gjendjeve të ankthit apo referimin e rasteve të evidentuara”.

E pyetur mbi ndikimin që ka pasur pandemia në gjendjen psikologjike të nxënësve, ajo rrëfen se e gjithë situata u shoqërua me konfuzion dhe paqartësi.

Mustafaraj thekson se prania e një psikologu në shkollë është e domosdoshme, sepse në pjesën më të madhe fëmijët kanë reflektuar ngarkesat emocionale të prindërve dhe mësuesve.

Për sa i përket skenarëve të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, psikologia tregon se ato kanë ndikuar në zbehjen e shumë aktiviteteve të organizuara në klasa dhe fëmijët kanë humbur nga aktivitetet me rol psiko edukuese.

Sipas ministrisë, nxënësit e ciklit fillor (klasa 1-5) do të zhvillojnë mësimin në shkollë, maturantët gjithashtu, ndërsa nxënësit e klasave (6-11) sipas skenarit të kombinuar.

“Shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë ‘online’ sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve”.

Roli i psikologut në kushte pandemie në shkollë

Nga ana tjetër, psikologia që punon në një qytet ku mësimi po zhvillohet në klasë, Fiqirete Dauti, tregon për AP-në sesi po funksionon dhënia e shërbimit.

“Tani që jemi nëpër shkolla, këshillimi vazhdon normalisht dhe komplet shërbimi psikosocial në fakt”, thotë Dauti.

Sipas saj, vëzhgimi bëhet nga vetë psikologët ose pas referimevë nga mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit.

Dauti thekson se e vetmja gjë që ka ndryshuar, është pajisja me maskë dhe ruajtja e distancës.

“Jemi me numër të reduktuar nxënësish dhe me turne”, shpjegon psikologia e shkollës.

Çfarë thonë nxënësit?

Gjimnazistja nga Tirana, J.M, ka dëshmuar se psikologia nuk është dukur fare në dyert e shkollës ku ajo mëson.

“Ne nuk ishim të informuar, që kur ishim në shkollë, le më tani që mësimi po bëhet online”, thekson ajo.

Por, në vitin 2013, sipas një dekreti të firmosur nga qeveria e atëhershme, për herë të parë psikologët u bënë pjesë e shkollave shqiptare.

Roli i psikologut, sipas Komisionit Evropian (KE), është i rëndësishëm, pasi ndikon në përmirësimin e veprimtarisë mësimore edukative në shkolla.

Në raportin e shkruar për Shqipërinë në lidhje me bullizmin, ata saktësuan se një në pesë nxënës ishte i bullëzuar.

Sipas tyre, numri i psikologëve në shkollat shqiptare duhet të rritet.

Në prag të fillimit të shkollës në vitin 2020, kreu i Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, deklaroi se viti nisi me të njëjtin numër punonjësish, edhe pse prania e tyre është më e domosdoshme me protokollet e reja anti-Covid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore