Gjykata Speciale

Rodney Dixon – kryeavokat i ri i Kadri Veselit


Rodney Dixon

Rodney Dixon është emëruar kryeavokat i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte pas largimit të avokatit Ben Emmerson.

Sipas njoftimit për media të Speciales, ky emërim u bë në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.

“Në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët, për të cilin ju informuam dje më 21 gusht, Administratorja e DHSK-së përfundoi përfaqësimin ligjor nga Ben Emersoni dhe emëroi Rodni Diksonin si kryembrojtës të ri të Kadri Veselit”, thuhet në njoftim.

Dixon ka përvojë të madhe në të drejtën ndërkombëtare, të drejtën publike, hetimet, si dhe në kontekstin e të drejtave të njeriut.

Ai është angazhuar në emër të qeverive, kryetarëve, në shërbim dhe ish-krerëve të shteteve, politikanëve, komandantëve ushtarakë, ankuesve dhe të pandehurve individualë, organizatave ndërkombëtare, kompanive dhe bizneseve, OJQ-ve dhe grupeve të viktimave.

Dixon është i specializuar në të drejtën ndërkombëtare publike, të drejtën penale ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut dhe liritë civile para të gjitha gjykatave ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare.

Përveç Veselit, edhe ish-presidentit kosovar Hashim Thaçi i është larguar avokati Gregory Kehoe për arsyeje financave.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur në prill të vitit 2023. Të gjithë këta ishin arrestuar më 5 nëntor 2020, dhe gjenden në paraburgim që atëherë.

Ata akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të pretenduara kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Pse u tërhoqën avokatët kryesorë të Thaçit dhe Veselit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore