Pajisje

Robotët pushtojnë hotelet izraelite


Roboti i zi me rrota po lëviz përgjatë një korridori hoteli, merr ashensorin dhe pret.

Kur ashensori arrin, familja që e përdor robotin nis të dalë.

Me mirësjellje, roboti tërhiqet dhe vetëm kur del i fundit, ai hyn dhe ngjitet në katin e nëntë.

Kur mbërrin, zbret dhe shkon me mjeshtëri drejt derës së njërës prej dhomave. Ndalon dhe telefonon brenda dhomës.

Personi del, hap ndarjen e vogël në pjesën e mesme të robotit, ku gjendet peshqiri i kërkuar nga shërbimi në dhomë vetëm pak minuta më parë.

Misioni u realizua.

Kjo mund të tingëllojë si fantazi, por një robot i tillë është tashmë në përdorim në Tel Aviv, në hotelin NYX nga zinxhiri Fattal në Izrael.

Dhe në muajt e ardhshëm, robotë të tjerë do t’u shtohen hoteleve të tjera Fattal.

Risi të tjera teknologjike janë edhe në funksionim, të tilla si një hotel pa recepsion, që funksionon nëpërmjet checkin-it në distancë ose dyerve pa çelës dhe pa kartë në dhoma, sisteme inteligjente kontrolli që operojnë në distancë me kondicionerin dhe Wi-Fi në dhomë.

Po ashtu, sistemi i ofrimit të ushqimit në hotel, me robotë që kryejnë dërgesa nga restorantet aty pranë.

Tanimë, disa prej tyre janë integruar në hotele, ndërsa të tjerat janë në faza të avancuara të zhvillimit.

Fusha e teknologjisë së udhëtimit u rrit ndjeshëm nga pandemia, e cila gjymtoi udhëtimet jashtë, por forcoi turizmin vendas.

Pandemia ndaloi udhëtimet ndërkombëtare dhe mbylli kufijtë, duke ulur ndjeshëm zënien e hoteleve dhe duke shkaktuar një anulim masiv të fluturimeve.

E gjithë industria e turizmit u bë plotësisht joaktive për muaj të tërë, duke humbur miliarda dollarë. Megjithatë, kriza sjell edhe krijimin dhe shumë kompani u përpoqën të gjenin mënyra për inovacion.

Edhe para krizës, qindra biznese të reja në Izrael dhe në mbarë botën përpiqeshin të sillnin teknologjinë e lartë në një industri të vjetër turizmi.

Kriza i përshpejtoi disa nga këto projekte, ndërsa të tjerat u përshtatën me realitetin aktual në një përpjekje për të ruajtur njëfarë ngjashmërie me të kaluarën.

Teksa para krizës hotelet në Izrael nuk nxitonin të hidheshin në botën digjitale, me shumicën e hoteleve që preferonin metodën e provuar të recepsionit dhe kontaktit personal me mysafirët, në vazhdën e pandemisë kuptuan se operacionet turistike nuk mund të riktheheshin në normalitet.

Pasi nevojitej përshtatja me situatën e re, kryesisht në aspektin e higjienës dhe ruajtjes së distancimit social.

Çka çoi në risi.

Një nga shpikjet praktike, e krijuar posaçërisht për të minimizuar ndërveprimet fizike, është teknologjia e zhvilluar nga Duve.

Është kompani që ka zhvilluar një platformë për menaxhimin e shumë përvojave të klientëve pa pasur nevojë të bisedohet me nëpunësin e pritjes ose punonjësit e hotelit.

Ndër të tjera, mundëson plotësimin e një pyetësori shëndetësor online që i dërgohet hotelit, si dhe check-in online.

“Qëllimi është të menaxhojmë pushimet në një mënyrë të përshtatur personalisht, duke hequr qafe çdo burokraci”, ka treguar bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i Duve, David Mezuman, përcjell Albanian Post.

Kompania izraelite ka mbledhur pesë milionë dollarë deri më tani dhe është gati të nisë një raund tjetër për mbledhjen e fondeve.

Duve punon me më shumë se 50 për qind të hoteleve izraelite, duke përfshirë zinxhirin Brown, Prima Tel Aviv, zinxhirin Orchid, Setai, Crowne Plaza në Tel Aviv, hotelet Mamilla dhe David Citadel në Jerusalem, si dhe me hotele në më shumë se 60 vende.

Sipas Mezuman, një nga avantazhet që ofrojnë është fleksibiliteti.

“Gjithçka i përshtatet mysafirit, qoftë gjuha e tyre ose një nevojë specifike. Një familje me pushime do të marrë oferta krejtësisht të ndryshme nga një çift në një arratisje romantike”, ka treguar ai.

Edhe shefi i zinxhirit Smart Hotels ka kërkuar mënyra për të kapërcyer një nga problemet kryesore në këtë fushë, mungesën e fuqisë punëtore.

Në Izrael janë 30 mijë persona që punojnë në biznesin e hotelerisë, një rënie e theksuar në krahasim me periudhën para pandemisë, në të cilën 42 mijë persona ishin të punësuar në këtë industri.

Hotelierët pohojnë se mungesa vjen nga fakti se izraelitët nuk janë të interesuar për këto punë.

Zinxhiri Smart Hotel ka gjashtë hotele, të gjitha me më pak se 70 dhoma, të vendosura në Jerusalem, Tiberias dhe Mitzpeh Ramon.

Të gjithë kanë staf të kufizuar.

“Gjetja e punëtorëve në zonat periferike të vendit është pothuajse e pamundur”, ka treguar shefi Andrey Iontel.

Kërkimi i zgjidhjeve i shtyu ata të ndërtonin një hotel të zgjuar që nuk ka nevojë për punëtorë njerëzorë, hotelin Even Derech në Mitzpeh Ramon, i cili u hap në vitin 2020.

“Meqë ekipi është i vogël dhe nuk jam aty personalisht gjatë gjithë kohës, ishte e rëndësishme të jepja zgjidhje në distancë. Për më tepër, doja të shfrytëzoja faktin që kam një hotel tjetër aty pranë, Ramon Suites”, ka shtuar ai.

Sipas Iontel, sistemet teknologjike kursejnë fuqinë punëtore, duke zgjidhur shumë funksione teknike për të cilat personeli humb shumë kohë për t’i zgjidhur.

Pas këtij suksesi lokal, Iontel dëshiron ta prezantojë këtë teknologji në hotelet e tjera në zinxhir.

Bërja e sistemeve më efikase dhe përdorimi i personelit dhe burimeve ekzistuese është ajo që e shtyu zinxhirin Fattal të përdorte robotin inteligjent si pilot.

Më pas, ata zbuluan se krahas funksionalitetit, roboti shërben edhe si një atraksion më vete për mysafirët.

“Roboti ngjall shumë interes te mysafirët. Disa prej tyre janë shumë të impresionuar, ndërsa të tjerët janë të shokuar. Krejt papritur, ata shohin një robot të veshur me papion, duke u kthyer prapa për t’i lënë të dalin nga një ashensor”, ka thënë shefi.

Çka e ka bërë shërbimin edhe efikas.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore