Muaji gusht është mbyllur me ritme pozitive për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, bëri me dije një raport i Eurocontrol-it i publikuar të mërkurën e 4 shtatorit.
Sipas organizatës ndërkombëtare, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka regjistruar një rritje prej 27 për qind përgjatë datave 26 gusht dhe 1 shtator, krahasuar me javën ekuivalente të vitit 2023.
“Shtetet në aksin Juglindor përjetuan rritjen më të lartë të trafikut në krahasim me vitin 2019, veçanërisht me një rritje 2-shifrore për Moldavinë, Shqipërinë, Gjeorgjinë, Estoninë, Hungarinë, Qipron, Republikën Çeke, Maltën dhe Kroacia”, shkruan Eurocontrol në raportin e tij.
Organizata vëren po ashtu se trafiku i rrjetit në gusht ishte në 97.6 për qind të niveleve të vitit 2019 afër parashikimit bazë të fundit të STATFOR (97.1%) – por në nivel shtetëror, situata është më e larmishme, veçanërisht në aksin Juglindor me “rritje të trafikut shumë përtej këtij niveli”.
Më herët, ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila dha vlerësime maksimale për punën e Aeroportit të Rinasit, i cili ka qenë në dy vitet e fundit edhe aeroporti me rritjen më të madhe të fluksit të lëvizjes në Evropë.
“Saktësisht një vit më parë ne prezantuam planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe puna ka filluar të tregojë rezultatet e para. Le të ndalemi për një moment dhe të kremtojmë këto arritje, të cilat ju udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të jeni shumë krenarë”, theksoi von der Leyen në fjalën e saj gjatë Forumit të Bled-it në Slloveni.
Më tej, ajo u ndal pikërisht te Rinasi.
“Tirana është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë”, i mëshoi këtij fakti presidentja e KE-së.
Në shifrat e fundit të marra nga vetë struktura aeroportuale, Albanian Post mësoi se për periudhën janar-gusht 2024, në Rinas ka pasur gjithsej 7 milionë e 233 mijë e 711 pasagjerë.
Një shifër kjo eksponencialisht më e madhe se sa ajo e vitit të shkuar, e cila pa 4 milionë e 606 mijë e 805 për të njëjtën periudhë.
Një shifër kjo, e cila sheh mbi 2.6 milionë pasagjerë më shumë, ose e përkthyer, 56 për qind më shumë fluks se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Me një ritëm të tillë rritjeje, ndërkohë që vjet u tejkalua shifra e 10 milionë turistëve, këtë vit mund të arrihet edhe një shifër drejt 13-14 milionë, sipas projeksioneve.
Vetëm për muajin gusht 2024, krahasuar me një vit më parë, ka pasur 368 mijë e 456 pasagjerë më shumë, ose 41.7 për qind.
Dita e cila ka arritur rekordin ka qenë ajo e 16 gushtit, me përpunimin e 45 mijë e 454 pasagjerëve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore