“Rikthimi i prokurorit Besnik Cani”, ONM-ja shpreh shqetësimin për projekt-vendimin e KLP-së
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka shprehur shqetësimin në lidhje me një projekt-vendim i cili po merret në konsideratë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ky i fundit, sipas ONM-së do të rikthente në radhët e prokurorisë, Besnik Canin, tashmë i shkarkuar nga veting-u.
Lajmi i postuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, u ripostua edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
Sipas ONM-së, nëse KLGJ-ja do të merrte parasysh këtë projekt-vendim do të cenohej reforma në drejtësi.
Kjo, pasi vendimi do të binte në kundërshtim me vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).
ONM-ja shtoi në reagimin zyrtar se vendimi i KPA-së mbetet në fuqi, derisa çështja të rigjykohet, duke kundërshtuar kthimin në detyrë të prokurorit.
“ONM-ja i referohet me vëmendje të veçantë vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen Besnik Cani kundër Shqipërisë. Në veçanti, ONM-ja vëren se GJEND-ja konstatoi se forma më e përshtatshme e trajtimit në lidhje me shkeljen e të drejtës së kërkuesit do të ishte rihapja e procedimeve gjyqësore, në rast se kërkuesi e kërkon këtë rihapje. Më tej, ONM-ja vëren se GJEDNJ-ja e refuzoi shprehimisht kërkesën e Canit për rikthimin e tij të menjëhershëm në postin e mëparshëm, marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e vetingut të kërkuesit”.
ONM-ja thekson ndër të tjera se të gjitha vendimet përfundimtare të vetingut mbeten në fuqi deri sa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar.
“Është tejet e rëndësishme të sigurohet që të gjitha institucionet shtetërore dhe autoritetet gjyqësore të respektojnë pavarësinë dhe juridiksionin ekskluziv të organeve të vetingut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe të mos ndërmarrin veprime që bien drejtpërdrejt ndesh me vendimet përfundimtare të vetingut”, vijon reagimi i ONM-së.
Dy ditë më parë, kreu i KLP-së, Alfred Balla la të kuptohej se vendimi i KPA-së që vendosi shkarkimin e Canit, ishte rrëzuar pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
Ai interpretoi se në fuqi mbetej vendimi i shkallës së parë të vetingut, që e pati konfirmuar Canin në detyrë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 6.1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj” në vetingun e ish-prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë.
Sipas Strasburgut, zgjedhja e Luan Dacit nga Kuvendi i Shqipërisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte bërë pa kryer verifikimet e duhura prej autoriteteve dhe se Daci nuk duhej të kualifikohej për të qenë anëtar i KPA-së.
Por Gjykata e Strasburgut i rrëzoi kërkesat e tjera të Canit, përfshi atë për t’u rikthyer në detyrë dhe kërkimin për një dëmshpërblim financiar me rrogën mujore.
Vendimi nuk jep një zgjidhje përfundimtare për rastin dhe për procesin e rivlerësimit dhe e lë atë në dorë të qeverisë shqiptare dhe vetë Canit, ndërsa sugjeron si zgjidhje rihapjen e dosjes së rivlerësimit dhe gjykimin nga një trupë e krijuar sipas ligjit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore