Kompania transportuese, Uber Technologies Inc, ka njoftuar se shoferët po i rikthehen gradualisht platformës së udhëtimit duke mundësuar një ulje modeste të kohës së pritjes të pasagjerëve teksa kompania kërkon të përfitojë nga një kthim post-pandemik në kërkesën e udhëtimit.
Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se java e 17 majit ka shënuar një rekord të ri për shoferët, të cilët janë kthyer në rrugë që prej nisjes së vitit 2021, me orët aktive që rriten me 4.4 për qind krahasuar me javën e mëparshme.
Gjatë asaj jave, Uber-i ka deklaruar se 33 mijë shoferë janë bashkuar me platformën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica prej tyre e kishin ndërprerë punën për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe mungesës së klientëve gjatë vitit të kaluar.
“Me kthimin e ekonomisë edhe shoferët po kthehet te Uber-i si një fuqi për të përfituar nga mundësitë më të mëdha të fitimeve nga stimuluesit tanë të shoferëve teksa janë ende në dispozicion”, ka thënë kreu i operacioneve të Uber-it në një deklaratë, Carrol Chang.
Rikthimi i shoferëve është thelbësor për kompaninë për të rimarrë të ardhurat dhe për të arritur objektivin e saj të përfitimit të rregulluar deri në fund të vitit.
Gjithashtu Uber-i po përballet edhe me klientët, të cilët ankohen në internet për kohën e gjatë të pritjes dhe kostot e larta të rezervimit.
Kompania ka mundur t’i tërheqë shoferët përmes partneriteteve të vaksinave kundër COVID-19. Ajo ka deklaruar gjatë muajit prill se do të investonte 250 milionë dollarë për të rritur fitimet e shoferëve dhe për të ofruar garanci pagese.
Me përfshirjen e stimujve, fitimet mesatare të shoferit për orë pune në disa qytete në SHBA e tejkaluan shumën 35 dollarë.
Uber-i u ka bërë thirrje shoferëve që të përfitojnë nga këta stimuj përpara se pagat të ulen si në nivelet para pandemisë. Kjo pasi më shumë shoferë do të kthehen në platformë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com