Kulturë

Rifillon restaurimi i “Emin Gjikut” në Prishtinë


Foto nga vendi i ngjarjes

“Emin Gjiku” ka filluar të restaurohet.

Ndërtesa kryesore në kompleksin e banimit Emingjiku në Prishtinë i është  krithyer procesit të renovimit pas një ndërprerjeje gati katër vjeçare.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një postim në rrjetin social Facebook.

“Gjatë muajit maj të këtij viti, pas vlerësimit të bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore rreth gjendjes dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore të kësaj ndërtese”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Sipas kësaj ministrie, plani i ndërhyrjeve restauruese është plotësuar me masat e sigurisë teknike, ku si plan i kompletuar do të fillojë të zbatohet nën mbikëqyrjen e rregullt të institucioneve të trashëgimisë kulturore.

“Sigurimi i mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, dhe monitorimi sistematik paraqet njërin nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj jemi të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes së kësaj trashëgimie”.

Ndërkaq punimet restauruese do të kryhen nga kompania “Pleqja”, nën mbikëqyrjen e stafit profesional nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Çka është “Emin Gjiku”?

Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, është i ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, në verilindje të përfundimit të qendrës aktuale të qytetit dhe përmbanë vlera të rëndësishme historike, artistike dhe të raritetit për kryeqytetin dhe regjionin.

Është një ansambël i përbërë prej katër ndërtesave dhe si tërësi, prezanton një ansambël shumë të veçantë dhe një shembull tipik të arkitekturës qytetare ballkanike të tipit oriental.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore gati dy shekullore, kompleksi ka pësuar transformime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit.

Megjithatë, ky kompleks mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të shekullit XVIII dhe XIX në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore