Gjykata Speciale

Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u vazhdohet paraburgimi


Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vendosur të mërkurën që t’i vazhdohet paraburgimi Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. 

Sipas Speciales, “paraburgimi i Selimit dhe Krasniqit, mbetet proporcional duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të panelit”.

Ndërsa është thënë se vendimi po merret duke u bazuar në faktin se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës.

“Trupi gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që të pandehurit Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi, mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore ose që pritet të paraqiten në gjykatë”.

“Paneli konstaton se paraburgimi i Selimit dhe Krasniqit edhe për dy muaj të tjerë, është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”.

Apeli në arsyetimin e tij ka theksuar se ekzistojnë sërish rreziqet e ikjes, ndikimit në dëshmitarë e shkatërrimin e provave, nëse Selimi dhe Krasniqi mbrohen në liri.

Paneli gjyqësor që ka marrë këtë vendim përbëhet nga kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, anëtarë të trupit gjykues dhe Fergal Gaynor, gjyqtar rezervë.

Në Gjykatën Speciale, aktualisht ka dëshmuar dëshmitari i 36-të të martën i cili pritet të vazhdoj dëshminë edhe të mërkurën.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore