Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë vitit 2020 ka pranuar 1 mijë e 658 ankesa për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kosovës. Sipas raportit të IPK-së, viti 2020 shënon edhe rekordin e ankesave që nga themelimi i këtij institucioni.
Ankesat kanë qenë për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, lëndim trupor, manipulim me prova dhe kanosje.
Në raportin e publikuar nga IPK për vitin 2020, janë hetuar 377 punonjës policorë, janë ngritur 82 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për vepra kriminale, janë arrestuar 38 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në krim dhe kanë rekomanduar suspendimin e 83 punonjësve policorë.
Mesatarja e ankesave gjatë një muaji sipas raportit, është 138 ankesa, duke shënuar rritje nga viti në vit. Ajo që thekson raporti i publikuar, është se edhe numri i femrave që kanë ngritur ankesa është rritur.
“Ngritje mbi 15% të numrit të ankesave krahasuar me një vit më parë dhe rezulton si shifër më e larta në 10 vitet e fundit. Në tre vitet e fundit ankuesit e gjinisë femërore janë ngritur për 2 deri 3%. 35% të tyre i orientuam për hetim penal në Departamentin e Hetimit. Pjesën e mbetur prej 65% i kemi orientuar për hetim disiplinor në Divizionin e Standardeve Profesionale të Policisë”, thuhet në raport.
Ankesat ndaj sjelljes së punonjësve policorë janë kryesisht nga shqiptarët, por edhe nga komunitetet tjera.
Sipas të dhënave të Departamentit të Menaxhimit të Ankesave, në vitin 2020, 1 mijë e 379 ankesa janë adresuar nga persona të përkatësisë shqiptare, 51 sosh nga persona të përkatësisë serbe, 4 nga persona të përkatësisë boshnjake dhe 3 ankesa nga shtetas të huaj.
“Në totalin prej 1.658 ankesave, për 221 ankesa e pranuara në IPK, nuk dihet përkatësia e ankuesve dhe lidhen inicimet e brendshme, ankesat anonime si dhe ankesat që kanë ardhur nga institucionet tjera”, thekson raporti.
Muaji më i ngarkuar me numër të ankesave përgjatë vitit 2020 ka qenë dhjetori, që janë regjistruar 198 ankesa apo 11.94% e numrit të përgjithshëm të ankesave të pranuar gjatë vitit.
Sipas të dhënave të raportit, ankesat më të shumta janë adresuar për punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Prishtinës, 44% të numrit të përgjithshëm të ankesave.
Ndërsa më pak të atakuar mbesin Drejtoritë Rajonale të Policisë Kufitare Lindja dhe Perëndimi.
Ankesat për përfshirje të punonjësve të policisë në vepra penale nuk janë të vogla, sipas raportit.
“Gjatë vitit 2020, 574 ankesa apo 34.62% të numrit të përgjithshëm të ankesave të pranuara në IPK janë kualifikuar si ankesa që përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në vepra penale. Ndërsa 1 mijë e 71 ankesa apo 64.60% e numrit të përgjithshëm të ankesave të pranuara në IPK janë kualifikuar se përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në shkelje disiplinore”.
“Gjatë këtij viti janë evidentuar 6 raste që ankesat të jenë proceduar në Departamentin e Hetimeve për t’u trajtuar për shkelje disiplinore konform mandatit ligjor, si dhe një ankesë është proceduar në Departamentin e Inspektimeve.
Inspektorati Policor i Kosovës ka buxhet prej 1 milionë e 400 mijë euro, mbi 1 milionë shkojnë për paga dhe shtesa, afër 60 mijë për projekte kapitale dhe afër 300 mijë për mallra dhe shërbime.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë