Pajisje

Realitetit të përzier i duhen edhe disa vite derisa të bëhet realitet


Brenda pak vitesh, teknologjia që bashkon botën virtuale dhe fizike mund të fillojë të bëhet realitet për konsumatorët.

Të paktën kështu u ka thënë agjencive të reklamave kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, duke dhënë më shumë detaje të vizionit të vet për krijimin e metaverse-it.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se teknologjia e realitetit të përzier (MR) mund të lejojë një person që mban kufje MR të përdorë një objekt të botës reale për të shkaktuar një reagim të botës virtuale.

Një rast ilustrues mund të jetë goditja e një personazhi të video-lojërave me një shkop bejsbolli të botës reale.

Ndryshe… është një nga tre llojet e teknologjive të realitetit të zgjeruar që shpesh shoqërohen me metaverse-in.

Realiteti i shtuar ekziston, me lojëra celulare si Pokemon Go, por lojtarët nuk mund të ndikojnë në botën digjitale me një objekt fizik.

Kufjet e realitetit virtual, si Oculus i Meta-s, i zhytin përdoruesit në një botë plotësisht virtuale ku ata mund të ndërveprojnë me mjedisin.

Detajet janë zbuluar gjatë një telefonate në platformën Zoom me agjencitë e reklamave që ishte planifikuar të ndihmonte reklamuesit të kuptonin më mirë metaverse-in.

Kështu ka bërë me dije një ekzekutiv i një agjencie që mori pjesë në thirrje.

Vlerësimi i realitetit të përzier sjell detaje shtesë në afatin kohor të ndërtimit të metaverse-it, idenë futuriste të një rrjeti botësh virtuale që mund të aksesohen nga pajisje të ndryshme.

Për këtë të fundit, Meta ka thënë se mund të duhet një dekadë për t’u ndërtuar.

Disa kufje me realitet të përzier janë të disponueshme, por nuk janë ende të përshtatura për konsumatorët e përgjithshëm.

HoloLens 2 të kompanisë Microsoft, të cilat u prezantuan në vitin 2019, shiten për 3 mijë e 500 dollarë dhe janë të destinuara për përdorim në vendin e punës.

Gjithashtu edhe vetë Meta ka prezantuar kufjet Project Cambria, të cilat paraqesin aftësi të përziera të realitetit dhe përfshijnë gjurmimin e fytyrës dhe syve. Ato pritet të dalin këtë vit.

Sakaq, kompania i ka këshilluar reklamuesit që të eksperimentojnë me reklama të realitetit të shtuar, të tilla si filtra fotografish dhe video që mbivendosin imazhet digjitale në botën reale.

Meta ka thënë se markat mund të bashkëpunojnë me krijuesit e përmbajtjes në reklamat e realitetit të shtuar ose të përdorin teknologjinë për provat virtuale të veshjeve.

Por nuk ka dhënë detaje se cilat formate reklamash mund të ndërtohen për metaverse-in ose se çfarë kontrollesh specifike duhen për të parandaluar shfaqjen e markave pranë përmbajtjeve të papërshtatshme.

Gjithashtu reklamuesit kërkojnë detaje se si do të matet efektiviteti i reklamave në metaverse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore