Sport

Real Madrid konfirmon kampin stërvitor në Prishtinë


Tashmë edhe vet klubi i Real Madrid-it ka konfirmuar se do të vijnë në Prishtinë.

Në zyrat e klubit mbretëror është prezantuar kampi stërvitor për fëmijë, që do të mbahet nga data 19 deri më 23 korrik në Prishtinë.

Nënkryetari ekzekutiv i Fondacionit Real Madrid, Enrique Sanchez, si dhe drejtori i kampeve stërvitore, Andras Muntaner, prezantuan këtë projekt, së bashku me përfaqësuesin zyrtar të këtij kampi, Robin Krasniqin nga kompania “STE”, si dhe përfaqësuesin e “Zeropozitive”, Arlind Sadikun.

“Jemi të lumtur që Fondacioni ynë zgjerohet edhe në një shtet tjetër si Kosova. Përmes këtij projekti, Real Madridi ndihmon fëmijët në shumë vende të botës. Shpresoj që ky organizim të ju prijë shumë tjerëve gjatë viteve në vijim”, tha Enrique Sanchez.

Gjithashtu edhe njëri ndër më meriorët, që klubi mbetëror do të zbarkojë në Prishtinë, Robin Krasniqi, tha se ky do të jetë një ndër organizimiet më të mëdha në Ballkan, si dhe do të punojnë shumë, për të bërë projekte tjera.

“Kosova është krenare që pret për herë të parë trajnerë zyrtarë të Real-it dhe besojmë se ky do të jetë vetëm projekti i parë nga shumë tjerë të ardhshëm”, tha Krasniqi.

“Me partnerët tanë si ‘Zero Pozitive’ kemi gjetur persona kompetent për të arritur qëllimin tonë dhe për ta bërë kampin më të mirë për të rinj që është organizuar ndonjëherë në zonën e Ballkanit”, shtoi ai.

Ky kamp stërvitor, organizohet nga akademia e Real Madrid-it për herë të parë në Kosovë, mirëpo pritet të bëhet kamp tradicional.

Këtu pritet të marrin pjesë 150 fëmijë nga grupmoshat gjashtë deri në 16 vjeç të cilët do të ndahen në gjashtë grupe, për tu vëzhguar nga trajnerët e klubit spanjoll.

Stërvitjet do të mbahen në fushën sportive të klubit të futbollit “2 korriku” në Prishtinë dhe secila stërvitje do të zgjatë 1 orë e 40 minuta.

Derisa, organizatorët thanë, se nëse ndonjëri prej futbollistëve do t’iu bie në sy trajnerëve, mund të transferohet në Madrid për tu provuar në klubin mbretëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore