Kosova

Raundi i ri i negociatave në Bruksel: Rast për progres apo një gozhdë më tepër në “arkivolin” e dialogut?


Besnik Bislimi

Një raund i ri i negociatave do të mbahet të martën (sot, 17 shtator) në Bruksel midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon të arrijë progres në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më shumë se një vit më parë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili, në një konferencë për shtyp të hënën, ka njoftuar se palët do të diskutojnë për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Agjenda është e qartë: rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutimet në çështjet që janë duke ndikuar në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse kryenegociatorët do të zhvillojnë takime trepalëshe, apo vetëm veç e veç. Zëvendëskryeministri i Kosovës ka deklaruar së fundi se Serbia ka refuzuar takimin e përbashkët: “Kosova ka pranuar takimin trelateral sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësuesi. Serbia ka refuzuar një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë agjendën”.

Nga ana tjetër, shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka pretenduar në një intervistë për gazetën qeveritare “Informer” të hënën se Serbia do të kërkojë “zgjidhje kompromisi” në kuadër të dialogut, por sipas tij, duhet që edhe Kosova të jetë “e gatshme” për bisedime.

E cikli i ri i negociatave vjen në kohën kur Kosova ka shprehur pakënaqësi rreth mënyrës së ndërmjetësimit të BE-së, duke shenjëzuar posaçërisht Lajçakun, i cili vazhdon të jetë në qendër të kritikave të zyrtarëve institucionalë, të cilin, në rastin më të mirë e konsiderojnë të njëanshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, derisa ka shprehur pesimizmin se mund të dalë “diçka” nga rrethi i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve, ka thënë se dialogu nën ndërmjetësimin e deritanishëm të Lajçakut “tashmë ka vdekur” dhe zor se do të “ringjallet” brenda këtij viti.

“Sa i përket perspektivës së dialogut, ai ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk shoh shumë rrugëdalje”, ka theksuar Konjufca, duke përmendur sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veriun e Kosovës të ngjeshur nga tensionet.

“Ajo që ka ndodhur në Banjskë ka qenë gozhda e fundit në arkivolin e dialogut. Ne jemi të vetëdijshëm – dhe kjo është e qartë – që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës e Serbisë. Besoj që duhet një drejtim krejt i ri”, ka thënë ai në një konferencë javën e kaluar.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë. E mbyllja e tyre është kundërshtuar nga serbët lokalë, zyrtarët serbë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka nxjerrë disa “masa/kushte” rreth këtyre zhvillimeve.

Në mesin e tyre, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i policëve, gjyqtarëve e prokurorëve serbë në institucione, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, krahas themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjithashtu, një nga masat është edhe shpallja e një “zone të veçantë për mbrojtje sociale” referuar veriut të Kosovës.

Ndërkohë, thirrjet e presidentit të Serbisë për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës nuk janë komentuar nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, por janë mirëpritur nga BE-ja. Megjithatë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje që BE-ja të dënojë sjelljen dhe gjuhën agresive e armiqësore të Vuçiçit karshi Kosovës.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore