Shqipëria

Raporti i INSTAT, transporti me ulje për muajin shkurt 2021


Instituti i Statistikave ka publikuar ditën e sotme, më 30 mars, statistikat e transportit për muajin shkurt 2021.

Statistikat përfshijnë volumin e mallrave dhe numrin e pasagjerëve të transportuar përmes rrugëve detare, ajrore dhe hekurudhore, duke lënë jashtë të dhënave format e transportit rrugor.

Muaji shkurt ka njohur ulje të transportit në të dy treguesit, si për mallrat, edhe pasagjerët, krahasuar me shkurtin e vitit 2020.

Transporti detar, i cili ka dhe peshën kryesore për transportin e mallrave, ka patur rënie prej 4,4% nga muaji shkurt i një viti më parë. Megjithatë, performanca e dymujorit është pozitive, pasi ka një rritje prej 3% nga viti i kaluar. Volumi i qarkullimit përllogaritet në masën 343,9 mijë ton.

Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë ka shënuar ulje prej 7,7% për muajin shkurt, dhe 10,7% për dy muajt e parë të 2021-shit. 

Me ulje është edhe transporti i mallrave përmes rrugëve ajrore. 972 fluturime më pak në muajin shkurt 2021, janë 44,5% më pak se në shkurt 2020. Kjo është reflektuar edhe në sasinë e mallrave të transportuara, ku janë 30,7% më pak për muajin shkurt, dhe 23,4% për dymujorin. 

Transportet e mallrave nga ajri janë sa një e treta e atyre që kryhen në det, në masën 123,9 tonë në muajin shkurt.

Transporti i pasagjerëve

Rënia më e theksuar është në krahun e transportit të pasagjerëve. Si në çdo krahasim tjetër mes muajve të pandemisë dhe atyre përpara përhapjes së saj, edhe shkurti ka rënie drastike.

Kështu, 26 mijë e 16 pasagjerë kanë udhëtuar me linja detare në muajin shkurt. Krahasimisht me muajin shkurt të vitit 2020, janë 34,4% më pak. Akoma më e thellë është diferenca për dymujorin e parë, që është 43,2% më pak se në vitin 2021.

Numri më i madh i pasagjerëve kanë udhëtuar përmes linjave ajrore, duke zënë 74,8% totalit të udhëtimeve. Megjithatë, 71 mijë e 347 pasagjerët janë 63,2% më pak se udhëtarët për shkurtin e një viti më parë.

Eksportet dhe importet e mallrave

Totali i vlerës së mallrave të eksportuara dhe të importuara në muajin shkurt është 77 miliardë lekë, dhe më shumë se gjysma e tyre janë transportuar në det.

Eksportet paraqesin një strukturë të transportit të ndarë mes atij detar në masën 58,4%, transportit rrugor në 34,1% dhe nw ajwr me 0,4%. 

Në anën e importeve ka një situatë më të balancuar mes transportit detar dhe atij rrugor. 46,6% të mallrave në muajin shkurt janë transportuar në rrugë detare, 48,9% me transport rrugor dhe 2,8% në rrugë ajrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore