Shqipëria

Rama publikon faturën e gazit të shqiptarit në Firenze: Mos u merrni me ata në Facebook, nuk dimë a do i mbyllim muajt e ardhshëm


Debati i rritjes së çmimeve në Shqipëri ka qenë epiqendër e politikës në javën e fundit, ku parësisht për naftën e më pas për ushqimet e shportës, pati demonstrata përpara Kryeministrisë, si presion ndaj Qeverisë për të vepruar me uljen e tyre.

Këto protesta, kryeministri Edi Rama, i ka cilësuar si një “turp”, për shkak të kohës kur po zhvillohen, ndërkohë që e gjithë bota po lufton dhe po merr goditje për shkak të luftës që po ndodh në Ukrainë, pas agresionit rus.

Pikërisht për të treguar një realitet paralel në një vend fqinj, Rama ka publikuar në median sociale Facebook, një mesazh të një shqiptari, i cili i ka dërguar kreut të Qeverisë, faturën e tij të gazit në qytetin italian të Firenze-s.

“Zoti kryeministër! E kotë të luftosh në Facebook me ata që një e dy përmendin rrogat tona këtej”, nis mesazhi i qytetarit. “Nuk e besova kur ju dëgjova që në Shqipëri nuk e keni rritur faturën e elektricitetit”.

Më tej, ai thotë se është “pa fjalë” nga ky fakt. Ndaj, kryeministri nuk duhet të mërzitet me ata që bëjnë llogaritë e rrogave jashtë.

Në faturën e gazit të muajit të fundit, shuma për t’u paguar është e 625 eurove.

Çmimi i gazit ka shënuar rritje shumë të madhe në Itali dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, për shkak të varësisë që tregu ka nga gazi rus.

Mandej, qytetari shton se jo vetëm shqiptarëve atje, por edhe italianëve, “po u ikën truri me faturat e energjisë”.

Ndërsa, rrogat, ai thotë se janë në rendin e 1 mijë e 500 eurove dhe jo sa propagandohet në Shqipëri, në shifra 15 mijë euro.

“Kemi tre goca në shkollë. Nuk po i bie gjatë. S’dimë sa do arrimë ta kapim fundin e muajve që vijnë po vazhdoi kjo furtunë çmimesh. Zoti ju dhëntë durim dhe forcë”, e përmbyll mesazhin qytetari.

Ndërsa, kjo, është veçse retorika e radhës e kryeministrit, ndaj protestuesve, të cilët kanë hyrë në ditën e shtatë të demonstratave.

Gjithsesi, në ditët e fundit, është vënë re një zvogëlim i numrit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore